Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami ka thënë se marrëveshja për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sot duhet testuar.
Ai këtë e ka thënë duke iu referuar nenit 4 të kësaj marrëveshje ku thuhet se si Kosova ashtu edhe Serbia nuk duhet penguar njëra-tjetrën në sferën ndërkombëtare, dhe se Serbia nuk duhet të pengoi anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Sot, në Paris, Neni 4 i “Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”, e sponsorizuar nga BE-ja, do të jetë në provë. Në mbrëmje, do të dimë nëse ka një Marrëveshje apo jo. Siç do të kishte thënë Cervantes: “Provimi i pudingut është në të ngrënë”, ka shkruar Bajrami.
Kujtojmë se sot do të mbahet mbledhja e Komisionit për Çështjet Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, në të cilën pritet të miratohet raporti për Kosovën lidhur me anëtarësim në KiE.