Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka vullnet për t’i mbështetur qytetarët nga komunitet pakicë në katër komunat veriore.
Ai tha se një gjë e tillë dëshmohet përmes ndarjes së katër milionë eurove për ndërtimin e shtëpive në Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Krasniqi në konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë, tha se pasi të përcaktohen kriteret do të kuptohet numri i saktë i ndërtimit të shtëpive në veri.
Krasniqi: Qeveria ka vullnet për t’i mbështetur qytetarët në veri
“Do të përcaktohen kriteret për subvencionim dhe do të hapet thirrja publike dhe do të përcaktohen madhësia e shtëpisë. Nga kjo do të kuptohet sa do të jetë numri i shtëpive që do të ndërtohen. Është një vullnet i mirë i qeverisë për t’i mbështetur qytetarët tanë në veri për t’i ndërtuar shtëpitë, të cilat nga përfundimi i luftës janë të djegura”, tha ai.
I pyetur sa i përket deklaratave të sotme të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, ku kërkoi nga Kosova themelimin e Asociacionit, ministri Krasniqi tha se qëndrimet e ekzekutivit janë publike për këtë çështje dhe se nuk ka çka shton më shumë.