Në Kosovë sot ka nisur regjistrimi i popullsisë, proces ky që do të zgjasë deri më datë 17 maj. E, qytetarët që nuk marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë do të dënohen nga 20 deri në 2000 euro.
Kështu ka ritheksuar drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, gjatë një takimi me kryetarët e komunave.
“Regjistrimi është obligim, qytetarët që nuk marrin pjesë do të dënohen nga 20 deri në 2000 euro”, tha ai.
Tutje, ai ka deklaruar se kërkohet angazhim maksimal për regjistrimin e popullsisë.
“Kërkoj mbështetje nga ju, sepse qëllimi i regjistrimit është që asnjë banor të mos mbetet pa u regjistruar. Regjistrimi do të bëhet nga dita e marte deri në të dielën. Kjo vjen nga përvoja e vendeve tjera… E hënë është ditë pushimi, sepse kanë nevojë regjistruesit për një ditë pushim”, ka potencuar ai.
Kastrati po ashtu ka kërkuar mbështetjen e kryetarëve për këtë proces.