Një mjet i pashpërthyer është gjetur sot nën një veturë në Leposaviq.
Për këtë rast, KFOR ka dhënë detaje me anë të një njoftimi dërguar mediave, duke rikonfimuar largimin e mjetit të pashpërthyer nga vendi i ngjarjes.
“Një pajisje e dyshimtë është gjetur sot nga Policia e Kosovës e vendosur nën një veturë, në Leposaviq. Pas një kërkese të Policisë së Kosovës, në vendngjarje ka intervenuar me shpejtësi një ekip për asgjësimin e mjeteve shpërthyese (EOD) nga Komanda Rajonale në Lindje e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.
Personeli i Policisë së Kosovës e largoi në mënyrë të sigurt mjetin e pashpërthyer nga vendi, në koordinim të ngushtë me një ekip të KFOR-it të SHBA-së për EOD”, thuhet në njoftimin e KFOR.