Aksidenti i tmerrshëm i trafikut që ndodhi të martën në zonën e Ratacit, një vendbanimi në afërsi të Dubrovnikut ku humbën jetën vëlla e motër Stjepan dhe Katarina Derek, ka shkaktuar indinjatën e banorëve të Dubrovnikut për shkak të pakujdesisë së shoferëve nga vendet e tjera, kryesisht shqiptarë, shkruajnë sot mediat kroate.
Policia e Dubrovnikut ka njoftuar se shkak i përplasjes ka qenë një tejkalim i paligjshëm, ndërsa ka mbetur i plagosur lehtë drejtuesi i automjetit që dyshohet se shkaktoi aksidentin, një shtetas 29-vjeçar nga Shqipëria.
Siç shkruan mediumi kroat Dubrovnik Herald, tragjedia e mbrëmjes së të martës është e fundit në një seri aksidentesh në autostradën e Adriatikut, të ndodhura për shkak të lodhjes dhe pakujdesisë së shtetasve të huaj që udhëtojnë përgjatë bregdetit kroat nga vendet e Evropës Jugore drejt vendeve perëndimore dhe anasjelltas.
Në rrjetet sociale, ka gjithnjë e më shumë komente indinjuese të kroatëve ndaj shoferëve të huaj, kryesisht shqiptarëve nga Shqipëria e Kosova.
“Ai seksion është i tmerrshëm. Nuk e di pse diçka nuk është bërë? Shumë e trishtë”, ka shkruar një kroat në rrjetet sociale.
“Këtyre shqiptarëve duhet t’u ndalohet urgjentisht lëvizja nëpër Republikën e Kroacisë”, shkruan një komentues tjetër.
“Shoferët nga Shqipëria dhe Kosova kanë vite që bëjnë lloj-lloj gjërash në rrugë dhe asgjë nuk po bëhet!”.
“Pesë-gjashtë aksidentet e fundit të rënda në zonën e Dubrovnikut dhe në rrethinë janë shkaktuar nga automjetet me targa shqiptare”.