Historike: Asambleja i thotë po anëtarësimit të Kosovës në KiE, pas një muaji flasin Ministrat

Aktuale

Historike: Asambleja i thotë po anëtarësimit të Kosovës në KiE, pas një muaji flasin Ministrat

Më: 16 prill 2024 Në ora: 06:58 Përditësuar në ora: 14:26 më 16.04.2024
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës

Basha: Kemi bërë gjithçka për pranimin e Kosovës në KiE

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka folur për punën që është bërë për votimin pro në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës.

Ai ka deklaruar se beson që votat në Asamblenë Parlamentare do të mundësojnë anëtarësimin e Kosovës dhe votimin pro edhe në Komitetin e Ministrave që është pika e fundit për votim rreth anëtarësimit.

“Kemi bërë gjithçka që kemi mundur në Partinë Popullore Evropiane dje nga mëngjesi dhe deri vonë pas mesnate kemi punuar me kolegët skeptikë apo që kanë marrë udhëzime prej ministrive të tyre për qëndrime jo në favor, por edhe me Komitetin Politik edhe me tjerë kolegë, pra e gjithë puna e mundshme është përfunduar”.

“Edhe këto orë që na ndajnë nga vota nuk do të na ndalojnë me shpresën dhe besimin që dy të tretat të e votuesve anëtarë të Asamblesë Parlamentare do t’i çelin dritën jeshile për t’i bërë anëtare e KiE-së. Do ta besoj kur ta shohë, do të punojmë fortë”, ka thënë Basha.

​Rrëzohen propozimet serbe që anëtarësimi i Kosovës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të votojë rekomandimin për Këshillin Ministror për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

Siç po raportohet, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Evropës i ka hedhur poshtë të gjitha amendamentet që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Në komitetet për çështje politike dhe demokraci të Këshillit të Evropës janë duke u diskutuar amendamentet që janë të përfshira në raportin e Dora Bakoyannis lidhur me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion.

Ky opinion i Bakoyannis pritet të votohet sot pasdite.

Një votim i suksesshëm do të hapte rrugën për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës do ta kishte më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit.

Kosova bëri një hap para në kërkesën e saj për anëtarësim në organizatën e të drejtave të njeriut në fund të muajit të kaluar kur Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhet që Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Këtij votimi të suksesshëm i parapriu edhe urdhri i Qeverisë së Kosovës ndaj Kadastrit që t’ia regjistrojë tokën Manastirit të Deçanit, duke zbatuar kështu një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Më 27 mars 2024, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin për Kosovën, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Evropës.

Përfundojnë punimet e Komitetit për Kosovën në KiE, s’kalojnë amendamentet e Serbisë dhe ajo për Asociacionin

Kanë përfunduar punimet e Komitetit Politik në Kuadër të Këshillit të Evropës ku u diskutuan amendamentet e propozuara për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në këtë Komitet nuk kanë kaluar asnjë prej amendamenteve të propozuara nga Serbia dhe as ai i Italisë që fliste për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Në total ishin 16 amendamente, ku prej tyre kanë kaluar vetëm tri, përkatësisht amendamenti një, amendamenti 11 dhe amendamenti 12.

Votimi për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, Kuvendi me njoftim

Këtë javë, nga 15-19 prill 2024, po zhvillohen punimet e sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), në Strasburg.

Tema e rëndësishme e këtij sesioni të APKE-së do të jetë debati dhe votimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sot, në pjesën e sesionit të pasdites, do të zhvillohet debati për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ku Kuvendi i Kosovës ka dalë me një njoftim, ku ka folur për delegacionin e Kosovës atje.

“Në këtë sesion marrin pjesë anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në APKE, Saranda Bogujevci kryesuese, Arben Gashi dhe Enis Kervan anëtarë, si dhe Ariana Musliu-Shoshi dhe Besnik Tahiri zëvendësanëtarë.

Në APKE po qëndron edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zv.kryeministrja, Donika Gërvalla dhe zv.ministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti.

Në sesion, fillimisht, raportuesja për Kosovën, Theodora Bakoyannis, do ta prezantojë raportin konsultativ për aplikimin e Kosovës për anëtarësim dhe më pastaj do t’u jepet fjala anëtarëve të tjerë, përfshirë anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në APKE”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Pas debatit, raporti do të hidhet në votim, ku kërkohen 2/3 e votave për miratim dhe më pas do t’i përcillet Komitetit të Ministrave për votim.

Komiteti i Ministrave do të mbahet më 16-17 maj 2024.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022.

Nisin punimet e Komitetit Politik në KiE, do të diskutohet edhe amendamenti i Italisë për Asociacionin

Në Strasburg të Francës kanë nisur punimet e Komitetit Politik në kuadër të Këshillit të Evropës ku do të diskutohet amendamentet e propozuara për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në këtë Komitet do të diskutohet edhe amendamenti i Italisë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Aktualisht janë gjithsej 16 amendamente që pritet të diskutohen e të hidhen në votim, ku shumica prej tyre janë nga pala serbe.

 

Sot votimi historik për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të votojë rekomandimin për Këshillin Ministror për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

Një votim i suksesshëm do të hapte rrugën për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës do ta kishte më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, tha për televizionin publik se dita e votimit është hapi gjigant drejt anëtarësimit,  por nuk është hapi final, sepse hapi final kërkon edhe votën e ministrave të jashtëm.

Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut. Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut.

Kosova paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022 pak kohë pas përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë, pas agresionit në Ukrainë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat