Josep Borrell, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh Zëvendëspresident i Komisionit Evropian, ka nominuar 44 krerë delegacionesh, krerë zyrash, të ngarkuar me punë të BE-së për rotacionin e radhës të delegacioneve të BE-së në mbarë botën.
Procesi i emërimit të të nominuarve do të formalizohet pas aprovimit zyrtar nga vendet nikoqire, nëse është e nevojshme, ka njoftuar Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së, raporton Klankosova.tv.
Në mesin e emrave që lidhen me Kosovën janë emisari aktual i BE-së për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak, dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.
Sipas listës së publikuar nga EEAS, Lajçaku është nominuar për Ambasador të BE-së në Zvicër.
Ndërkaq, për emrin e ri në këtë post ende nuk është nominuar askush.
Aktualisht, kësaj gare i ka hyrë ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i cili e ka konfirmuar edhe vetë se ka ambicie për të marrë në dorë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të zhvilluar në Bruksel.
Ndërkaq, për shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë është nominuar Aivo Orav. Aktualisht, Orav shërben si Përfaqësues i Përhershëm i Estonisë në BE. Ai më parë ka qenë edhe Ambasador i BE-së në Malin e Zi.
Këtë post aktualisht e mban Tomas Szunyog, i cili u emërua rreth 4 vjet më parë.