Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës, i kryesuar nga kryetari Besnik Boletini ka pritur në takim gazetaren e RTK-së Venera Xhoxhaj- Adili, e cila së fundmi është vlerësuar nga Ambasada Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë me çmimin “Grua ndërkombëtare e guximshme” për vitin 2024.
Gazetares Xhoxhaj-Adili, i është ndarë çmimi nga ambasadori amerikan Hovenier “Grua e guximshme e Kosovës” për guximin e saj të jashtëzakonshëm për raportimin e së vërtetës pavarësisht rreziqeve gjatë protestave të dhunshme në veri të Kosovës, për mbrojtjen e lirisë së mediave, për përkrahjen e kolegëve të saj gazetarë, si dhe punën e saj për të mbështetur demokracinë multietnike të Kosovës përmes vendosmërisë së saj për t’i dhënë hapësirë zërave të heshtura.
Me këtë rast kryetari Besnik Boletini, e vlerësoi lartë angazhimin dhe guximin Xhoxhaj-Adili në punën e saj veçanërisht gjatë raportimeve në veri të Kosovës.
Ai inkurajoi gazetaren Xhoxhaj dhe të gjithë kolegët e saj në RTK për angazhim profesional dhe objektiv gjatë punës në RTK.
Boletini gjithashtu vlerësoi lart angazhimin e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë në vlerësimin dhe inkurajimin e gazetarisë profesionale në RTK dhe në mbrojtjen e lirisë së mediave në Kosovë.
Ndërsa gazetarja Venera Xhoxhaj Adili shprehu entuziazmin e saj për çmimin dhe për përkrahjen e punës së saj, si dhe shprehu gatishmërinë në angazhimin e mëtutjeshëm në raportim profesional dhe në mbrojtjen e lirisë së mediave.
Në këtë takim ishin prezente edhe nënkryetarja e Bordit, Albulena Mehmeti, si dhe anëtaret Fatime Lumi-Qehaja dhe Arta Berisha.