Në përkujtim të masakrës në Poklek të Drenasit, kryeministri Albin Kurti bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule.
Në 25-vjetorin e kësaj masakre, kryeministri përkujtoi 54 civilët shqiptarë, të vrarë mizorisht nga gjenocidi i ushtrisë serbe.
Kurti u shpreh se kjo masakër brutale nuk fshihet nga kujtesa e popullit shqiptar. Ai tha se kjo paraqet plagë të hapur e që kullon, meqenëse ende nuk ka drejtësi për krimet e kryera nga Serbia.
“Gjaku i derdhur, e kufomat të bëra hi, të cilat nuk kanë mundur të ndahen për t’u varrosur në mënyrë të dinjitetshme ndaras por është dashur që të bëhen bashkërisht, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës”, tha kryeministri.