KQZ me zgjidhje alternative për vendvotimet në komunat veriore të vendit

Aktuale

KQZ me zgjidhje alternative për vendvotimet në komunat veriore të vendit

Më: 18 prill 2024 Në ora: 17:15
Pamje nga veriu i Kosovës

Drejtorët e 33 shkollave në veri të Kosovës kanë refuzuar të lejojnë që hapësirat e këtyre objekteve që të jenë të qasshme për vendvotime më 21 prill, prandaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka gjetur zgjidhje alternative për vendosjen e qendrave të votimit për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri.

Kryesuesi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, tha se si zgjidhje alternative kanë gjetur objekte publike, që i përkasin administratës së katër komunave veriore.

Siç tha Ahmetaj, lokacionet e sakta do të bëhen të ditura pas miratimit nga KQZ-ja.

Ndërkaq, në mbledhjen që KQZ e mbajti të mërkurën, Ahmetaj bëri të ditur se vetëm 10 shkolla janë të qasshme për vendvotime, ndërsa 33 shkolla të tjera jo, për shkak të refuzimit nga ana e drejtorëve të shkollave.

Më 21 prill pritet të votohet “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve shqiptarë në komunat veriore të vendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat