Vuçiç kërcënon Kosovën, eksperti: Gabimi i Europës që Serbia nuk është ndëshkuar si duhet për 4 luftërat në Ballkan

Aktuale

Vuçiç kërcënon Kosovën, eksperti: Gabimi i Europës që Serbia nuk është ndëshkuar si duhet për 4 luftërat në Ballkan

Më: 19 prill 2024 Në ora: 15:55
Aleksander Vuçiq

Eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Sadri Ramabaja, është shprehur se Serbia nuk është ndëshkuar siç duhet për 4 luftërat e zhvilluara në Ballkan, në hapësirën e ish-Jugosllavisë.

Komentet Ramabaja i bëri në Euronews Albania, ku tha se sa më shumë BE e afron Serbinë drejt vetes, duke e trajtuar si shtet normal, aq më të larta janë shanset që ajo të ndërmarrë një aventurë ushtarake në Kosovë, e njëjtë me atë të Rusisë në Ukrainë.

Po ashtu, Ramabaja tha se prania e KFOR në stërvitjen e sotme ushtarake të Serbisë, ishte jo vetëm mbështetje për ngritjen e moralit të pjesëtarëve të Forcave të Armatosura, por edhe një mesazh që Kosovë duhet të pengohet me çdo çmim për t’u anëtarësuar në KiE.

“Serbia e pandëshkuar si duhet, sepse ajo do të duhej që për 4 luftërat e zhvilluara në Ballkan, në hapsirën e ish-Jugosllavisë, do të duhej të ndëshkohej ashpër, ngjashëm si Gjermania Naziste. Por në vend që të ndahej në zona të kujdesit të NATO-s, të pushtohej nga brenda, ajo është lënë e lirë.

Pas përfundimit të luftës, pas marrëveshjes së Kumanovës, në 9 qershor 1999 marrëveshjet me KFOR kanë pasuar, është zvogëluar zona e fluturimit, pastaj e përafrimit të ushtrisë, pastaj është lejuar që të ndërtojë 48 baza ushtarake rreth Kosovës. Pra janë krijuar parakushtet që iluzionet për mundësinë e kthimit në Kosovë ta ushqejë jo vetëm te ushtarët, por edhe te qytetarët.

Ndërkohë me këtë defilim të forcës sot, ajo i dërgon mesazh të qartë diplomacisë perëndimore se sa më shumë ta përafrojë Republikën e Kosovës në institucionet Euroatlantike, duke e trajtuar si Republikë të mirëfilltë, aq më afër jemi rrezikut të një ndërmarrjeje aventuriere të tipit të Serbisë, që nuk ndryshon me atë që ndërmorri Rusia në Ukrainë.

Ftesa që i është bërë KFOR-it atje është jo vetëm mbështetje për moralin e ushtrisë serbe, por edhe për të dhënë mesazhin që Kosova të pengohet me çdo çmim që të anëtarësohet në KiE”, tha Ramabaja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat