Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka njoftuar se sot në kryesi të Kuvendit të Kosovës, ka propozuar që Kuvendi në ditën kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara aprovon rezolutën për “Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”, të njëjtën rezolutë ta mbështesë edhe Kuvendi i Kosovës.
Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se duke mos qenë anëtare e OKB-së, kjo është mënyra më e mirë për Kosovën që t’i bashkohet botës demokratike në dënimin dhe përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë.
Postimi:
“Ballafaqimi me të kaluarën është më se i nevojshëm dhe politika gjenocidale dhe serbomadhe e Beogradit ndaj Kosovës, Bosnjës dhe Kroacisë, duhet të ndëshkohet dhe përkujtohet, me qëllim që ajo kurrë të mos rikthehet në rajon.”.