“Kosovës do t’i shtohet presioni për themelimin e Asociacionit me qëllim të avancimit të marrëdhënieve”. Kështu konsiderojnë analistët politikë, pas dështimit të iniciativës për largimin e kryetarëve në veri.
Të njëjtit vlerësojnë se në ditën e djeshme është vërejtur qartë ndikimi i Listës Serbe tek serbët lokalë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.
Ish-diplomati Blerim Canaj, në një prononcim për KosovaPress tha se procesi i djeshëm i votimit ishte një dështim, pasi sipas tij, vetëm shpërfaqi ndikimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq e të Listës Serbe mbi serbët e Kosovës.
Ai shtoi se me këto zgjedhje Kosova humbi 250 mijë euro teksa nuk arriti asgjë.
Canaj: Është një dështim apo humbje e 250 mijë eurove
“Është një dështim apo humbje e 250 mijë euro kot. Kjo çka tregon? Tregon thjesht ndikimin që ka Lista Serbe tek popullata serbe dhe tregon edhe një lloj unifikimi të pakicës serbe në ato komuna, që i bie që automatikisht duke marrë parasysh që Lista Serbe është një dorë e shtrirë e Vuçiqit, automatikisht tregon edhe ndikimin e Vuçiqit që e ka mbi veriun dhe serbët e Kosovës. I humbi Kosova 250 mijë euro edhe dështoi dhe çka arriti? Arriti që në ndërkohë pastaj të përdor në retorikën e saj politike atë se si serbët nuk po dëshirojnë që të shkarkojnë kryetarët, atë çka e dëgjuam nga kryeministri dhe presidentja”, shprehet ai.
Sipas tij, qeveria nuk ka strategji të qartë për integrimin e pakicave serbe në institucionet vendore.
Argumenti kryesor pas kësaj situate, Canaj shton, se do të jetë themelimi i Asociacionit.
Kështu mendon edhe profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, i cili konsideron se Kosovës do t’i shtohet presioni për zbatimin e Asociacionit.
Megjithatë, Arifi thotë se Kosova do të duhej të shpërblehej me largimin e sanksioneve.
Arifi: Presioni do të rritet për palën kosovare për zbatim të Asociacionit
“Presioni do të rritet për palën kosovare që zbatimi i Asociacionit të bëhet si kusht për avancimin e mëtutjeshëm. Por, në këtë pikë, po flasim vetëm për këtë rast për referendumin, Kosova do të duhej të shpërblehej me largimin e sanksioneve”, shprehet Arifi.
Serbët, sipas tij, duhet të bashkëpunojnë me kryetarët aktual, pasi vetë refuzuan të mos marrin pjesë në procesin zgjedhor për shkarkimin e tyre.
Arifi: Bashkimi Evropian duhet të përçojë mesazh të qartë
“Për fat të keq pala serbe apo qytetarët serbë e bojkotuan të tërë procesin dhe në njëfarë mënyre ata e shprehin publikisht që janë për vazhdimin e kryetarëve shqiptarëve në katër komunat veriore. Është një humbje e madhe për serbët në radhë të parë por edhe për shtetin e Kosovës sepse po vërehet që është problem politik dhe njëfarë problemi edhe integrimi i serbëve do të merr kohë jashtëzakonisht shumë. Bashkimi Evropian duhet të përçojë një mesazh të fuqishëm politik, ajo do të ishte largimi i masave shtrënguese për Kosovën sepse në njëfarë mënyre do t’u tregonte qytetarëve serbë në veri që bojkotimi dhe mos pjesëmarrja në integrim dhe në zgjedhje është sanksionim dhe sanksionimi më i mirë në thonjëza do të ishte largimi i masave për Kosovën, sepse kështu do të shpërblehej pala konstruktive”, deklaron Arifi.
Ndërkaq, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, thotë se ky rezultat është në të mirën e kryetarëve aktual.
Gashi thotë se kanë qenë të detyruar të organizojnë një proces që ka qenë i bazuar në Udhëzimin Administrativ të Qeverisë së Kosovës, për të cilin thotë se që nga fillimi thotë se ka qenë antikushtetues.
Gashi: Rezultati është në të mirën e kryetarëve aktual
“Procesi ka shkuar edhe qysh ka nisur prej fillimi, realisht ka dështuar si proces për faktin se nuk kemi pasur dalje të mjaftueshme ashtu siç e kërkon ligji. Prandaj, procesi është i dështuar dhe si i tillë ne e kemi konstatuar që nuk ka marrë vota të mjaftueshme për të realizuar procesin tjetër zgjedhor për largimin e kryetarit. Rezultati është ky që është, ndoshta ky rezultat është në të mirën e kryetarëve aktual që janë atje. Por, kostoja natyrisht gjithmonë është e lartë, nuk më mbetet mua ta vlerësojë nëse ja ka vlejtur barra që ndajmë, por ne kemi qenë të obliguar që të organizojmë një proces, i cili ka qenë i bazuar në një udhëzim administrativ, për të cilin kam menduar që nga fillimi që ky udhëzim është antikushtetues”, deklaron Gashi.
Pas dështimit të procesit të djeshëm zgjedhor, kryetarët e kanë siguruar edhe një vit në krye të komunave, pasi i njëjti nuk mund të organizohet në 12 muajt e ardhshëm.
Për këtë ka reaguar presidentja Vjosa Osmani, e cila e ka konsideruar si fatkeqësi bojkotimin e procesit të djeshëm. Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, është shprehur se rezultatet e votimit për shkarkim tregojnë se nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktual.
Edhe Ambasada Amerikane në Kosovë ka shprehur keqardhje për mos-pjesëmarrjen e serbëve në këtë proces zgjedhor.
Thirrjen e Listës Serbe për bojkot, ambasadori gjerman Jorn Rohde e ka quajtur për keqardhje dhe shkatërrues.
Të drejtë vote në katër komunat në veri kanë pasur mbi 46 mijë qytetarë, ndërkaq në total kanë votuar vetëm 265 prej tyre.