Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshill të Sigurimit ka kritikuar Kosovën dhe Serbinë.
Gjatë fjalimit të tij Robert Wood ka përmendur shkeljen e marrëveshjeve nga ana e Serbisë për lirinë e lëvizjes derisa për Kosovën ka përmendur çështjen e dinarit.
Ai poashtu tha se Serbia nuk ka bërë përparim për të gjetur përgjegjësin e sulmeve të shtatorit 2023.
“Na ka shqetësuar shumë mungesa e lirisë së lëvizjes të qytetarëve që po hynin në Serbi të përfshirë edhe serb etnik që shërbejnë në Policinë e Kosovës. Ky veprim është shkelje e marrëveshjeve të kaluara dhe të lirisë së lëvizjes dhe të një mënyre e kërcënimit të serbëve të Kosovës që marrin pjesë në jetën qytetare të Kosovës”, tha ai.
Ai poashtu tha se janë të shqetësuar me veprimet e Kosovës të cilat sipas tij ndikojnë në mirëqenën e komuniteteve pakicë si dhe minojnë rrugën drejt normalizimit.
“Mbetemi të shqetësuar për veprime të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës si dhe zbatimin e rregullores së ndryshuar të BQK-së që janë në shpërputhje me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes Dialogut. Këto veprime kanë ndikim në komunitetet e cenueshme dhe nuk lejojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ai.
Ai ka nxitu të dy palët që të përmbushin përkushtimin duke gjetur zgjidhje për valutat.
Ai ka përmendur edhe mbajtjen e referendumit në Kosovë.
Ai ka shprehur keqardhje për daljen e ulët të qytetarëve për të votuar.
Ai ka çmuar përpjekjet e zyrtarëve kosovar që të lejojnë të marr pjesë çdo qytetar i regjistruar në këtë proces demokratik.