Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj në një postim të tij në Facebook ka lavdëruar punën e kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini, për të cilin thotë se me ekipin e tij i kanë dhënë shtytje të jashtëzakonshme përparimit dhe zhvillimit të këtij qyteti.
Haradinaj në këtë rast ka kritikuar qeverinë, duke thënë se ka dështuar në tema madhore për vendin.
Ai ndër të tjera thotë se ka neglizhuar këshillat e SHBA-së dhe ka larguar vendin nga rruga drejtë anëtarësimit në NATO.
Postimi i plotë:
Për disa mandate me radhë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, qytetit të Gjakovës po i ofron qeverisjen shembullore. Kryetari Ardian Gjini me ekipin e tij i kanë dhënë shtytje të jashtëzakonshme përparimit dhe zhvillimit të këtij qyteti, pavarësisht sfidave dhe diskriminimit që i bëhet nga niveli qendror.
Sot, në mbledhje të përbashkët të kryesisë qendrore me struktura të Aleancës në Gjakovë, folëm për zhvillimet e fundit politike në vend si dhe për koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta.
Fatkeqësisht, Qeveria jonë ka dështuar në tema madhore që janë jetike për vendin. Ka refuzuar termocentralin Kosova C, ka refuzuar projektin e Gazsjellësit Amerikan e qytetarin e ka bërë më të varfër.
Në aspektin e sigurisë ka neglizhuar këshillat e aleatëve tanë, ShBA-ve në veçanti, duke e ka larguar vendin nga rruga e saj euro-atlantike dhe synimi ynë madhor, anëtarësimi në NATO.
Por ne do e ndihmojmë Kosovën të dalë nga kjo situatë. E them me plot bindje se Aleanca me partnerët e koalicionit është nevojë urgjente për Kosovën, për zhvillimin e saj ekonomik, për një Kosovë më të sigurtë dhe të zhvilluar, përkrah Amerikës dhe botës demokratike.