Nënkryetarja e PDK-së, Mimoza Ahmetaj ka komentuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për Kosovën për vitin 2023.
Duke folur për këtë raport, Ahmetaj tha se ai vë në pah problemet serioze në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, përfshirë kërcënime apo dhunë kundër gazetarëve dhe dhunë me bazë gjinore.
Ajo tha se raporti i DASH-it dhe Raporti i Progresit janë dy raportet më relevante në nivel global që i dërgohen shteteve përkatëse.
“Një raporti i tillë që i drejtohet Kosovës me kaq negativitet na vjen pak ditë para vendimit të madh për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, që drejtpërdrejtë është institucioni që e ka për mandat avancimin e të drejtave të njeriut. Dhe llogariteni çfarë fature i vjen Kosovës. DASH i ka burimet e veta që e përcjellin Kosovën në çdo hap dhe fatura që sot na është dhënë është treguesi më real”, tha Ahmetaj.