Këshilltari për media i Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina i ka reaguar kreut të AKR-së, Behxhet Pacolli i cili në një postim në rrjetin social X ka bërë thirrje që Vuçiqi, Osmani e Kurti t’i lënë mënjanë provokimet.
Pacolli këtë deklaratë e ka shoqëruar me fotografinë e presidentes Osmani, presidentit serb Vuçiq dhe kryeministrit Kurti. Dy të parët kreu i AKR-së i ka paraqitur pikërisht nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku dy ditë më parë u diskutua për Kosovën.
“Vuçiq dhe Osmani/Kurti duhet të lënë mënjanë ofendimet dhe provokimet e ndërsjella për të vendosur një nivel të respektit për palët në dialog. Të dyja palët duhet të ulen dhe të përpiqen të gjejnë zgjidhjen e duhur për çështjet që rëndojnë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Pacolli.
Këshilltari për media i Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina i ka thënë Pacollit se nëse turpërohet nga e vërteta e historisë sonë të dhimbshme të luftës, kjo ka të bëjë me mungesën e respektit ndaj shtetit dhe viktimave të luftës.
“Behgjet Pacolli, nëse ti turpërohesh nga e vërteta e historisë sonë të dhimbshme nga lufta e vitit 1999, kjo ka të bëjë me mungesën e respektit tënd ndaj shtetit të Kosovës dhe ndaj viktimave të regjimit serb.
E vërteta jonë nuk është as ofendim e as provokim. Fjalët e tua janë ofendim dhe përçmim për Republikën e Kosovës, për mijëra viktima civile përfshirë fëmijë të djegur për së gjalli, për gjakun e dëshmorëve tanë dhe për gratë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës”, shkruan Kupina.