Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka reaguar lidhur rastin e një vdekje të dyshimtë të një gruaje në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Vranjës.
Prokuroria e Lartë Publike në Vranjë të enjten dërgoi një komunikatë për media lidhur me vdekjen e një gruaje në lindje në Repartin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Vranjë, duke ngritur dyshimet se gruaja që vdiq pasi lindi fëmijën e saj, mund të ketë vdekur nga pakujdesia e personelit mjeksor.
E Kamberi ka ftuar institucionet e drejtësisë të kryejnë punën e tyre drejtë, në mënyrë profesionale dhe rasti të zbardhet deri në fund.
Sipas tij, mungesa e të punësuarëve shqiptarë në spitalin e Vranjës është dëshmi e trajtimit të pabarabartë.
Ai shtoi se rastet e këtilla dëshmojnë nevojën e ndërtimit të institucioneve sekondare shëndetësore në Luginë të Preshevës.
Postimi i plotë:
Prokuroria e Lartë në Vranjë ngre dyshimin se gruaja që vdiq pasi lindi fëmijën e sajë mund të ketë vdekur nga pakujdesia e personelit mjeksor.
Ajo ishte vetëm 37 vjeçe, vinte nga komuna e Preshevës dhe kishte shkuar për ta sjellë në jetë fëmijën e sajë të katërt.
Fëmija shpëtoi ndërsa nëna vdiq. Personeli i spitalit nuk kishte njoftuar as policinë e as prokurorinë për rastin e ndodhur dhe kjo ishte arsyeja e parë që rriti dyshimet.
Tanimë kur dyshimet janë konkrete e zyrtare, ftojë institucionet e drejtësisë të kryejnë punën e tyre drejtë, në mënyrë profesionale dhe rasti të zbardhet deri në fund.
Jeta e çdo njeriu është e shenjtë. Pakujdesia e mjekëve nuk guxon të jetë arsyeja e humbjes së jetës së askujt. E shqiptarët, njejt sikur të tjerët, meritojnë trajtimin e barabartë kudo që shkojnë, në të gjitha institucionet.
Mungesa e të punësuarëve shqiptarë në spitalin e Vranjës është dëshmi e trajtimit të pabarabartë.
Rastet e këtilla dëshmojnë nevojën e ndërtimit të institucioneve sekondare shëndetësore në Luginë të Preshevës.