Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka folur për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë një emisioni televiziv. Ai ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti duke thënë se i ka pranuar të gjitha marrëveshjet që dikur i ka kundërshtuar, por që e kanë dëmtuar edhe më shumë Kosovën.
“Kurti të gjitha marrëveshjet i ka zbatuar por me kosto në dëm të Kosovës. E ka zbatuar marrëveshjen për targat duke i rrezikuar raportet me partnerët ndërkombëtarë, duke i rrezikuar policët. E ka zbatuar marrëveshjen për dokumentet për të cilën thoshte se është e kundërligjshme dhe kundërkushtetuese. Në fund shkoi Besnik Bislimi në Bruksel dhe tha se e kemi arritur të njëjtën marrëveshje pikë për pikë. E ka zbatuar marrëveshjen për energjinë për të cilën thoshte s është tradhti kombëtare. Kurti ka shprehur vullnetin që të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin por po kërkon që të nënshkruhet edhe nga Vuçiqi”, ka thënë Gashi.
“Ajo që Kurti e ka bërë para një viti në Bruksel dhe Ohër është përtej marrëveshjeve të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit. Është marrëveshje më e dëmshme”, ka shtuar deputeti i LDK-së.
Ai është pyetur edhe për miratimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Pritshmëritë e mia janë që Kurti do ta dërgojë draftstatutin në Gjykatë Kushtetutese”, ka thënë Gashi.