Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se nga sot subjektit që ai e udhëheq i është bashkuar Gjeneral Fadil Hadërgjonaj.
Në një postim në Facebook Abdixhiku ka publikuar fotografitë e takimit, ndërsa i ka uruar mirëseardhje Hadërgjonajt në LDK.
“Mirë se vjen, Gjeneral!
Gjeneral Fadil Hadërgjonaj, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. ‘Bjeshka’ siç e thërrasin shokët e luftës, është një prej figurave më të shquara e të njohura në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Fadili shkollimin e kreu në vitin 1989, në Akademinë Ushtarake të ish APJ-së, në drejtimin ‘Mbrojtja e Hapësirës Ajrore’, për të vazhduar më pas në Shkollën Komando Shtabore në vitin 2008. Ndërsa vazhdoi shkollimin në Akademinë për Mbrojtje në Britaninë e Madhe gjatë viteve 2011 – 2015. Në vitin 2018 magjistroi në Shkencat e Sigurisë në Prishtinë”, shkruan Abdixhiku në njoftimin e tij.
Gjatë karrierës së tij ushtarake, Fadil Hadërgjonaj ka treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj detyrave të tij, duke shërbyer në pozita të larta komanduese dhe udhëheqëse në Forcat e Armatosura të Kosovës.
“Ai me shumë përkushtim udhëhoqi Brigadën 138 “Agim Ramadani”, në vitin 1999 dhe shumë brigada tjera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po ashtu udhëhoqi Departamentin e Hulumtimeve/ Komanda e Doktrinës dhe Trajnimit në TMK; ishte shef i sektorit të Stërvitjeve dhe Ushtimeve në MFSK; dhe udhëhoqi Komandën e Doktrinave dhe Stërvitjeve. Ishte Këshilltar Ushtarak; Komandant i Brigadës së Reagimit të Shpejtë si dhe Komandant i parë i Forcave Tokësore të Forcës. Fadil Hadërgjonaj për kontributin dhe shërbimin e tij të jashtëzakonshëm në karrierë morri medaljen e shërbimit dhe medaljen e karierës nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Fadili është i martuar me Arbnoren dhe kanë tre fëmijë, vajzat Albanën dhe Arianën si dhe djalin, Gentin. Na priftë e mbara Gjeneral! Fadil Hadergjonaj Bjeshka”, përfundon Abdixhiku njoftimin e tij.