Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, deklaron se raporti i DASh-it thotë se nuk ka korrupsion qeveritar.
Rexhaj thotë se raportet e kaluara të DASh-it kryetemë kanë pasur përmendjen e liderëve shtetërore në pjesëmarrje në afera korruptive.
“DASh-i nuk thotë se ka korrupsion qeveritar, nëse përkthehet ajo duhet i bie që DASh-i nënkupton që korrupsioni është në nivel ekzekutiv është edhe në nivel legjislativ është edhe në nivel gjyqësor. Për këtë e ka fjalën. Nëse ne e devijojmë çështjen dhe themi se është te qeveria, ne gabojmë sepse nuk e ka fjalën për aty… në krahasim me raportet e viteve të kaluara, realisht kryetemë ka qenë përmendja e liderëve shtetërorë në pjesëmarrje si afera korruptive. Raporti evidenton dy ministra që nuk e kanë deklaruar pasurinë në kohë. Evidentohen nuk kanë aktakuzë të ngritur”, tha ai.
Ai tha se Qeveria e Kosovës nuk bën pjesë në korrupsion, por e lufton atë përmes ligjeve.
“Qeveria nuk e lufton korrupsionin. Qeveria nuk bën pjesë në korrupsion. E luftojmë përmes ligjeve, të cilat i ndërtojmë si infrastrukturë përmes vizionit tonë”, shtoi Rexhaj.
Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2023 ka konstatuar se Kosova vazhdon të përballet me probleme serioze në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, përfshirë kërcënime apo dhunë kundër gazetarëve, dhe me problemin e dhunës me bazë gjinore. Në raportin e DASh-it u përmend se më 2023 nuk ishte raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë.