Ministria e Punëve të Jashtme ia ka refuzuar vizitën në Kosovë drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Lajmin e ka konfirmuar Leutrim Sahiti, këshilltari politik i ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
“Në lidhje me pyetjet tuaja ju informojmë që personit në fjalë i është refuzuar vizita në Kosovë”, tha Sahiti.
Ai nuk dha detaje për arsyen e refuzimit të vizitës së Petkoviqit në Kosovë, i cili planifikonte të vinte për festën e Pashkëve.
Siç raportuan mediat serbe, Petkoviq kishte dashur që për Pashkë të merr pjesë në liturgjinë e mesnatës në manastirin e Deçanit dhe në mëngjesin e Pashkëve të merr pjesë në meshë në manastirin e Graçanicës dhe pastaj të trokit vezët e Pashkëve me më të rinjtë në manastirin e Draganacit.