Lëvizja Vetëvendosje ka fituar një ulëse në Kuvendin e Maqedonisë Veriore. Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Bekim Qoku figuron në listën e deputetëve në legjislaturën e re.
Bekim Qoku, nga blloku opozitar shqiptar VLEN, që garoi edhe LVV, ka marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet i RMV-së.
Ndërkaq të njëjtën gjë nuk arritën ta bëjnë dy kandidatet tjera nga LVV-ja, Nafie Selmani dhe Medine Ukshini.
Deputetët e VLEN-it do të jenë: Izet Mexhiti, Bekim Sali, Afrim Gashi, Rijad Shaqiri, Merita Koxhaxhiku, Salim Sulejmani, Bilall Kasami, Bekim Qoku, Mimoza Musa, Halil Snopçe, Fatmir Limani, Saranda Imeri – Stafai dhe Sadik Sulejmani.
VMRO-DPMNE, partia që ishte në opozitë në Maqedoninë e Veriut, do të rikthehet në pushtet.
Sipas rezultateve fillestare të zgjedhjeve të djeshme parlamentare që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i shpalli mëngjesin e sotëm, nga mbi 99,27 për qind të votave të numëruara, koalicioni i udhëhequr prej partisë së Hristjan Mickoskit pritet t’i ketë 58 mandate në përbërjen e re parlamentare.
Koalicioni Fronti Europian, i udhëhequr nga BDI-ja e Ali Ahmetit pritet t’i ketë 19 deputetë, duke u bërë forca e dytë politike në vend.
Koalicioni për Ardhmërinë Europiane i udhëhequr nga LSDM-ja pritet t’i ketë 18 deputetë.
Ndërsa, koalicioni nga blloku opozitar shqiptar, VLEN, pritet t’i ketë 13 deputetë.
Pas shpalljes së fitores, VMRO-DPMNE ka paralajmëruar një koalicion me VLEN-in, duke e deklaruar hapur dëshirën për ta lënë në opozitë BDI-në, partinë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.