Kurti në Kotor flet për axhën e tij që ishte i burgosur politik, përshëndet në shqip kushërinjtë

Aktuale

Kurti në Kotor flet për axhën e tij që ishte i burgosur politik, përshëndet në shqip kushërinjtë

Më: 16 maj 2024 Në ora: 10:32
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti gjatë konferencës së Samitit BE-Ballkani Perëndimor ka folur pak për historinë e axhës së tij në Mal të Zi si i burgosur politik nga regjimi i Millosheviqit.

Kurti këtu përmendi edhe burgosjen e tij, derisa në cilësinë e kryeministrit falënderoi Malin e Zi që u bë strehë e shqiptarëve që po iknin nga gjenocidi më 1999.

“41 vjet më parë në Kotorr ishte xhaxhai im i burgosur politikisht për 3 muaj. Ai vjen nga një fshat  Sukobin, që është në komunën e Ulqinit, në kufi me Shqipërinë. 25 vjet më parë unë u bëra i burgosur politik dhe më vonë i burgosur i luftës. Ishte koha kur regjimi i Millosheviqit po ushtronte gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe në Mal të Zi ne patëm një mik, sepse refugjatët shqiptarë që i shpëtuan masakrës, projektit serb për shfarosjen e tyre, gjetën strehë në Malin e Zi ku hasën mikpritjen banorëve vendas. Tani jam përsëri në Kotorr pas disa vjetësh të konferencave të ndryshme si kryeministër i Kosovës për herë të parë dhe në të njëjtën kohë jam shumë i lumtur që axha im është i lirë dhe i shëndoshë në Sukobin”.

Pasi foli edhe për Procesin e Berlinit dhe Planin e Rritjes, në fund të konferencës, Kurti përshëndeti në shqip kushërinjtë e tij në Mal të Zi.

 “Përshëndetje, të gjithë atyre që kuptojnë shqip, posaçërisht kushërinjve të mi prej Sukobinës deri në Ulqin”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat