Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka takuar kryetarin e SHBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili ia ka shprehur shqetësimet për kontratat e reja të punës që po u ofrohen mësimdhënësve.
Këto kontrata, sipas Haradinajt, janë një goditje e radhës për ta nga ana e Qeverisë së Kosovës.
“Në takim të përbashkët me përfaqësuesit e SBAShK-ut, kryetarin Rrahman Jasharaj me bashkëpunëtorë, pranova shqetësimet e tyre për kontratat e reja të punës që po u ofrohen mësimdhënësve, një goditje e radhës për ta nga ana e Qeverisë së Kosovës. Kjo formë e kontratës e godet rëndë tërë sistemin arsimor parauniversitar dhe si e tillë është e pazbatueshme për shkak që nuk i përshtatet specifikave të punës së mësimdhënësve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Haradinaj ka theksuar se kjo qeveri që prej fillimit të saj nuk ka qenë aleate e mësimdhënësve.
“Me qasje armiqësore përveçqë i ka goditur financiarisht, ka cenuar edhe dinjitetin e tyre”, ka shkruar tutje Haradinaj.
Kreu i AAK-së, mes tjerash, ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimin me SHBASHK-un që mësimdhënësit të jenë të vlerësuar dinjitetshëm.