​Zgjedhjet e parakohshme dhe KiE, opozita me kritika e akuza ndaj Kurtit

Aktuale

​Zgjedhjet e parakohshme dhe KiE, opozita me kritika e akuza ndaj Kurtit

Më: 17 maj 2024 Në ora: 11:54
Këshilli i Evropës

Hapjen e temës për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, opozita e konsideron lojë hileqare të kryeministrit të Kosovës, për ta larguar vëmendjen nga procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas opozitës Qeveria e Kosovës nuk mund të ndikoj në votim pa realizimin e kushtit të vendosur nga Asambleja Parlamentare.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se pa realizmin e kushtit të vendosur nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, deklaratat nga Qeveria Kosovës nuk mund të ndikojnë në votimin pro për anëtarësimin e vendit tonë në KiE.

Haliti: Nuk mund t'ia hedhim Këshillit të Ministrave për të votuar pro anëtarësimit të Kosovës në KiE

"Mendoj që ne nuk mund t'ia hedhim Këshillit të Ministrave për të votuar pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Mendoj që vendimi i Asamblesë Parlamentare ka qenë shumë i shpejtë, në përputhje me zotimet që kanë pasur dhe kushtet që kanë nxjerrë. Tani kemi një kusht për ta realizuar, nëse ai nuk realizohet unë nuk e besoj që me deklarata nga Qeveria e Kosovës ose nga ministrja e Punëve të Jashtme ose nga kryeministri që ia mbushi mendjen Komitetit të ministrave për ta votuar", potencon Haliti.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka hapur temën e zgjedhjeve të parakohshme për ta shmangur diskutimin e largimit të Kosovës nga agjenda e Komitetit të Ministrave ku do të mund të votohej për pranimin në këtë organizatë.

Lekaj kërkon që qeveria Kurti të jap dorëheqje e më pas të bëhet shpërbërja e parlamentit.

Lekaj: Kurti po bën lojëra hileqare për ta larguar vëmendjen nga dështimet

“Zoti Kurti ka hapur një temë për zgjedhjet e parakohshme apo të jashtëzakonshme vetëm për të hequr përqendrimin për atë që nuk po anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe nuk është në agjendë deri më tani. Mendoj që janë lojëra hileqare të zotit Kurti dhe ne nuk guxojmë që të bëjmë këso lojëra. Prandaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës prioritet e ka keqqeverisjen e kësaj dhe ne kemi kërkuar si prioritet tonin që ai të shkarkohet apo të jap dorëheqje, pastaj ta bëjmë shpërndarjen e parlamentit", thotë Lekaj.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk pritet të jetë sot në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë.

Ekzekutivi të enjten i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Pas letrës së dërguar nga Qeveria e Kosovës drejtuar Këshillit të Evropës, për t’i hapur rrugë anëtarësimit të Prishtinës në KiE, në një letër të përbashkët, kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron i drejtohen kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit me një përgjigje të prerë duke i thënë se nuk do të pranohet kërkesa, nëse nuk do të ketë asociacion.

Në letër theksohet se “ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar në asociacion, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”.

Ndërkaq edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk është konsultuar dhe dakorduar në lidhje me letrën e zotimit të Qeverisë për hartimin dhe dërgimin e draft-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.

Këshilltari për medie në Zyrën e Presidencës, Bekim Kupina kishte thënë se presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me Presidencën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat