Gjykata Supreme ka nxjerrë aktgjykim lidhur me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë nga ana e policit të dënuar, Florim Krasniqi, për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”. Krasniqi ishte dënuar me gjobë për rrahjen e një qytetari në vitin 2020 në Kamenicë.
Supremja e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e paraqitur nga Krasniqi kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.
Themelorja e kishte dënuar Krasniqin me 900 euro gjobë më 12 korrik 2022, ndërsa Apeli e kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ka refuzuar ankesën e tij.
Kundër këtyre aktgjykimeve, i dënuari ka paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, me propozim që Gjykata Supreme ta aprovojë si të bazuar kërkesën, të anulojë aktgjykimet e kundërshtuara dhe lënda të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.
Në kërkesë pretendohet se Gjykata Themelore në Gjilan në mënyrë të gabuar ka vlerësuar dëshmitë e dëshmitarëve duke mos u besuar deklarimeve të tyre, që janë konsideruar si jo bindëse, kundërthënëse dhe me qëllim të shmangies nga e vërteta.
Krasniqi po ashtu ka pretenduar se edhe provat tjera janë interpretuar në mënyrë të gabuar, duke përfshirë ekspertizën e ekspertit mjeko –ligjo dhe video incizimin e rastit, ku sipas tij nuk vërtetohet se ka kryer veprën për të cilën është dënuar.
Pas Gjykata ka shqyrtuar të gjitha shkresat, ka ardhur në përfundim se kërkesa nuk është e bazuar, ngase aktgjykimet kundër të cilave ka parashtruar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë nuk përmbajnë shkeljet që janë pretenduar.