Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se mos përfshirja për votim në Këshillin e Ministrave është dështimi më i madh i Kosovës në arenën ndërkombëtare, për të cilin fajin kryesor e bart kryeministri aktual Albin Kurti.
"Ky dështim i faturohet një njeriu e ai është Albin Kurti. Eksperimentet e tij, jo vetëm që e kanë dëmtuar rëndë imazhin e vendit, por po e dobësojnë edhe subjektivitetin e shtetit", ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai i ka bërë thirrje BE të mos ndëshkojë qytetarët e Kosovës për shkak të papërgjegjësive institucionale dhe të hapë rrugën e integrimit.
"U bëj thirrje shteteve të BE-së, të mos i ndëshkojnë qytetarët dhe shtetin e Kosovës, për shkak të papërgjegjësisë dhe mungesës së seriozitetit të një njeriu, por të na e shtrijnë dorën e të na e hapin rrugën e integrimit. Ne rrugë tjetër nuk kemi", tha Haradinaj.