Qeveria e Kosovës miraton marrëveshjen me Danimarkën, burgu i Gjilanit do të përdoret për të dënuarit danez

Aktuale

Qeveria e Kosovës miraton marrëveshjen me Danimarkën, burgu i Gjilanit do të përdoret për të dënuarit danez

Më: 20 maj 2024 Në ora: 10:05
Burgu

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës.

Ky traktat parashikon shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për ekzekutimin e dënimeve të shtetasve danezë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës, për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze”, thuhet në njoftim.

Traktati, i nënshkruar nga Ministrat e Drejtësisë të të dy vendeve më 26 prill 2022 në Prishtinë dhe më 16 maj 2022 në Kopenhagë, synon të përmirësojë kapacitetet dhe bashkëpunimin në fushën e drejtësisë midis Kosovës dhe Danimarkës.

“Çështja kryesore e trajtuar në këtë projektligj është ratifikimi i Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, të nënshkruar nga Ministrat e Drejtësisë të të dy vendeve, më 26 prill 2022 në Prishtinë dhe 16 maj 2022 në Kopenhagë të Danimarkës”, thuhet në njoftim.

Qeveria e Kosovës ka theksuar rëndësinë e këtij traktati, duke theksuar se ai do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe do të ndihmojë në menaxhimin më efikas të dënimeve.

Institucioni Korrektues në Gjilan do të përdoret për të vuajtur dënimet e shtetasve danezë, duke lehtësuar kështu presionin mbi sistemin korrektues të Danimarkës dhe duke siguruar kushte të përshtatshme për të burgosurit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat