Diplomati austriak tregon si e kishin kuptuar planin “Patkoi” të Millosheviqit për dëbimin e shqiptarëve nga Kosovë

Aktuale

Diplomati austriak tregon si e kishin kuptuar planin “Patkoi” të Millosheviqit për dëbimin e shqiptarëve nga Kosovë

Më: 28 maj 2024 Në ora: 07:10 Përditësuar në ora: 18:26 më 28.05.2024
Jan Kickert

Diplomat austriak thotë se përmes rrugëve të inteligjencës kishin kuptuar planin “Patkoi” të Millosheviqit për dëbimin e shqiptarëve nga Kosovë

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, dëshmitari Jan Kickert tha se përmes rrugëve të tyre të inteligjencës kishin kuptuar planin “Patkoi” të presidentit serb, Sllobodan Millosheviq për dëbimin e shqiptarëve nga Kosovë.

“Ne morëm vesh që forcat jugosllave do të dëbonin shqiptarët drejtë vendeve fqinje, drejtë Shqipërisë dhe Maqedonisë në formën e patkoit nga qendra drejtë periferisë dhe më pastaj drejtë vendeve fqinjëve. Unë këtë informacion e kam marrë nga atasheu ynë ushtarak”, tha dëshmitari.

Ndërsa, duke u fokusuar në periudhën e pas luftës, dëshmitarit iu vendos një video e Hashim Thaçit në të cilën thoshte se nuk do të lejojnë anarki dhe frymë të jotolerancës në Kosovë si dhe ata do të respektojnë rregullat dhe rendin demokratik, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari pohoi se ishte në dijeni për qëndrimin e Thaçit dhe politikat e tij që etnitë  e tjera të jetojnë në Kosovë. Ai gjithashtu, pohoi se Thaçi kishte tentuar që të shkojë të takohet në mënyrë të drejtpërdrejtë me civilët serb për t’i bindur ata që të qëndrojnë në Kosovë.

Në seancë u prezantua edhe një memorandum të cilën dëshmitari pohoi se e kishte hartuar më 25 tetor 1999. Sipas Mishetiq, në këtë memorandum thuhej se situata kishte ndryshuar në Kosovë dhe se në rendë të parë janë ish-komandantët e UÇK-së.

“Thoni që takimi në Banjë ilustron edhe njëherë tjetër se hierarkia sociale e tradicionale e Kosovës rurale është tjetërsuar, është përmbysur që kur është shfaqur UÇK-ja. Pleqtë e sotëm vijnë pas ish-komandantëve të UÇK-së. Për shembull nëse Çeliku futet në shtëpi unë ndalojë së foluri. Çeliku në terma të përgjithshme thuhet se thotë “Çfarë them unë, është ligj këtu” dhe kjo padiskutim që kërkon shtjellime të mëtejshme”, tha Mishetiq.

Në përgjigjen e tij sa i takon se si kuptohej shprehja e Fatmir Limajt dëshmitari tha se ai ishte personi që fjala e tij kishte peshë.

“E kuptoj që ai e vendoste ligjin. Ai ishte personi që fjala e tij kishte peshë. Çfarë thoshte ai bëhej sepse ai ka shërbyer si komandant i UÇK-së për rajonin aty në atë kohë”, tha dëshmitari.

Më pas shkurtimisht, dëshmitari u mor në pyetje nga mbrojtja e Veselit, përmes avokatit Ben Emmerson i cili e pyeti lidhur me datat se kur ishte takuar diplomati amerikan me të akuzuarin gjatë periudhës së luftës.

Kurse, në pyetjet e mbrojtjes së Selimit përmes avokatit Geoffrey Robert, dëshmitari tha se në vitin 1999 UCK-ja ishte më e strukturuar se në vitin 1998.

Dëshmia e dëshmitarit Kickert pritet që të vazhdojë edhe në seancën e ditës së nesërme.

Dëshmitari mohon të ketë dëgjuar për formimin e Gjykatës Ushtarake në UÇK dhe obligimin e Thaçit për mbikëqyrjen e saj

Dëshmitari i 68-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), diplomati austriak Jan Kickert, ka mohuar se ka dëgjuar për formimin e një Gjykate Ushtarake në UÇK dhe se shef i saj të jetë një person i quajtur Sokol Dobrunja.

Gjithashtu, dëshmitari mohoi se e dinte që puna e Thaçit ka qenë që të mbikëqyrë funksionimin e kësaj Gjykate Ushtarake, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, i pyetur lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve në procesin politik e sidomos gjatë marrëveshjeve që dolën nga ky përfaqësim, dëshmitari tha se LDK-ja nuk kishte qasje miqësore ndaj UÇK-së.

“LDK-ja nuk kishte qasje miqësore ndaj UÇK-së. Në fillim madje mohuan edhe ekzistencën e UÇK-së. Ne po ashtu kishim FARK-un, grupin e armatosur që financohej nga LDK-ja dhe Qeverinë e tyre në ekzil. Pra, kishte përplasje, fërkime politike, por besoj që këto fërkime ishin edhe në terren”, tha ai.

Dëshmitari shtoi se LDK-ja e shihte UÇK-në si kërcënim të monopolit të tyre politik.

Gjithashtu, dëshmitari tha se gjatë procesit të marrëveshjes së Rambujesë, kishte presion mbi Thaçin pasi komandantët e zonave nuk pajtoheshin me këtë marrëveshje. Krahas kësaj, dëshmitari pohoi se Thaçi nuk e kishte autoritetin që të nënshkruante në emër të UÇK-së.

Diplomati austriak: Thaçi është prezantuar si 3-shi, kishte pseudonimin ‘Gjarpri”

Diplomati austriak, Jan Kickert tha se në takimin që kishte pasur me Thaçin ai ishte prezantuar me numrin 3.

I pyetur se a kishte dëgjuar se Thaçit i referohen me këtë numër, dëshmitari e mohoi një gjë të tillë mirëpo tha se kishte dëgjuar se përdorej një sistem numerik.

“Jo domosdoshmërish për atë, por me kanë thënë që përdornin një sistem numerik atje dhe mu kujtua dhe e kam thënë në një nga raportet e mija ku kam përshkruar një takim me Adem Demaçin që Adem Demaçi me numra iu drejtohej personave, po nuk e kanë lidhur numrin 3 me Hashim Thaçin”, tha ai duke mohuar se kishte dëgjuar edhe në mjete tjera informimi të iu referohen Thaçit me numrin 3.

Dëshmitari tha se kishte dëgjuar se Thaçi kishte pseudonimin gjarpri dhe gjatë kësaj kohe nuk kishte dëgjuar që paralelisht i referoheshin me ‘treshi’.

Jan Kickert u pyet po ashtu se a e kishte kuptuar ndonjëherë se pse përdorej një sistem numerik.

“Sipas nesh, asaj kohe ishte një ilustrim hierarkik me sistemin numerik. Takova numrin 7 fillimisht pastaj numrin 3 dhe kështu unë arrita të kuptoja që isha në shkallët më të larta të hierarkisë. (mosprezantimi me emra) Me sa kuptoj ishte për çështje sigurie. Për mua, kërcënimi kryesor është nëse prezantohesh me emër dhe është më pak e rrezikshme në qoftë se përdoret një numër”, tha ai.

Ai gjithashtu tha se Thaçi ishte shënjestra kryesore e serbëve dhe se ishte gjëegjezë nëse rrezikohej në rast që prezantohej me numrin 3, por që shtoi se nuk beson që Thaçi u prezantua me numrin 3 për të treguar rëndësinë që kishte në UÇK.

“Kur u takuam me numrin 7, ishte takim paksa i pazakontë. Unë po mendoja mos e shpiku ku numrin 7 sepse 007 ishte James Bondi, po pastaj kur u takova me numrin 3 e kuptova ‘aha’ paska njëfarë vlere ky sistem numerik, ka kuptim ky sistem numerik por nuk mund ta them këtë me siguri”, tha dëshmitari duke pohuar se i ka thënë ZPS-së që ky sistem numerik mbështetej kryesisht në supozime dhe se nuk ka parë dokumente për këtë.

Ai gjithashtu tha se Thaçi gjatë këtij takimi nuk i kishte treguar se për çfarë ishte përgjegjës dhe se nuk i tha se ishte udhëheqës.

Pas kësaj, avokati i Thaçit preku edhe tema të tjera në të cilat dëshmitari shtoi se gjatë ofensivës serbe Malisheva ishte braktisur nga popullsia shqiptare dhe se nga fundi i korrikut apo fillimi i gushtit kishin marrë raporte nga terreni se policia serbe po plaçkiteshin shitoret dhe policia po ua vinte zjarrin shtëpive.

Dëshmitari tha se serbet ishin të bindur se kishin mposhtur UÇK-në sidomos edhe pas bombardimeve në Prekaz në pranverën e 1998, kjo bindje ishte forcuar.

Diplomati austriak pohon se Thaçin e kanë cilësuar më shumë si figurë politike sesa ushtarake

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitar Jan Kickert tha se gjatë vitit 1998, Hashim Thaçin më shumë e kanë konsideruar si figurë politike sesa ushtarake.

Dëshmitari tha se një gazetar kosovar i kishte thënë se Thaçi ishte një personalitet i nivelit të lartë, i cili mund të fliste në emër të UÇK-së në procesin politik, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Është e saktë sepse atë po kërkonim edhe ne. Kjo më ishte thënë mua nga një gazetar vendor, si personalitet potencial i nivelit të lartë me të cilin mund të fliste me autoritet në emër të UÇK-së për procesin politik të cilin ne po përpiqeshim ta arrinim”, tha Jan Kickert.

Ai gjithashtu shtoi se është takuar disa herë edhe me Kadri Veselin gjatë kësaj periudhë kohore.

Dëshmitari pohoi se më 1999 kishte shkuar edhe në zonën e Llapit, e cila komandohej nga komandant Remi.

“Nuk e di, më duket që Remi ka qenë në rajonin e Llapit, por nuk e di se kur mund të kem shkuar në komandën e tij. Nuk e di as deri ku shtrihej kjo zonë dhe ne kemi pasur zhvilluar diskutime në janar të 1999-ës lidhur me ushtarët e ushtrisë jugosllave”, tha diplomati austriak, duke mohuar se ka shkuar ndonjëherë në këtë zonë më 1998.

Jan Kickert tha se në atë kohë e kishte përshtypjen se rajonet ishin grupe që vepronin në mënyrë autonome sesa përmes një komande hierarkike.

Dëshmitari pohoi se UÇK-ja ekzagjëronte strukturën e saj, koordinimin për t’u marrë më seriozisht nga ndërkombëtarët.

“Për të çuar përpara statusin e tyre- Kosovës, por edhe për neve në sy tanë të ndërkombëtarëve që t’i merrnim ata më seriozisht. Kjo ka qenë tendenca kryesisht e tyre në mesin e diplomacisë amerikane, për të vënë në një anë UÇK-në në formimin e platformës politike të përfaqësuesve shqiptarë të Kosovës. Ne evropianët, ne austriaket nuk besonim që kjo ishte e mundur, por ishte një përplasje e vazhdueshme. Në verë të vitit 1998  mendoj së ata kanë mbivlerësuar veten e tyre, aftësitë e tyre…”, tha ai.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari tha se postblloqet e vendosura nga UÇK-ja gjatë periudhës së luftës kanë qenë të kontrolluara më shumë nga bujq sesa nga ushtarë.

“Kjo ka qenë përvoja kur jemi takuar për herë të parë në Malishevë. Kur kemi kaluar nga rruga kryesore tek një pikë kontrolli që ishte qartësisht e mbajtur nga individë që nuk ishin të trajnuar apo të stërvitur. Ishin njerëz të armatosur thjesht”, tha ai.

Diplomati austriak: Nuk dinim për strukturën e UÇK-së më 1998, amerikanët e cilësonin si të shpërndarë

Diplomati Jan Kickert tha se ata dinin shumë pak për strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa pohoi se amerikanët iu kishin thënë se kjo pjesë ishte misterioze, por që kishin përshtypje se ishte strukturë horizontale dhe e shpërndarë.

Këtë deklarim, dëshmitari Kickert e bëri pasi avokati i HashimThaçit, Luka Mishetiq, ia prezantoi një kabllogram të 27 qershorit 1998, të cilin vetë dëshmitari e kishte shkruar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Keni shkruar: Struktura komanduese e UÇK-së ngelet si diçka misterioze sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithëse, UÇK-ja vepron duke përdorë emër si Shtabi i Përgjithshëm e në pamjen e Shteteve të Bashkuara është një strukturë e shpërndarë horizontale dhe struktura koordinimi, kjo do të ishte problematike për të përfshirë UÇK-në në politikë. A ju kujtohet nga ku ju ka ardhur ky informacion?”, tha Mishetiq.

Por, dëshmitari tha se kjo gjë u tha në takimin  e grupit të kontaktit.

“Ka ardhur nga amerikanët. Nuk e di kush ishte i pranishëm gjatë takimit. Në qoftë se mund të shoh titullin e raportit pak më sipër ishte takim i grupit të kontaktit të misioneve. Ndoshta ka qenë ambasadori amerikan, zëvëndësmbasadori që e ka dhënë këtë informatë”, tha Kickert.

Sipas tij, mund të ketë qenë edhe ndonjë atashe ushtarake, ndërsa theksoi që vëzhguesit e Bashkimit Evropian kishin përvoja të ndryshme me anëtarët e UÇK-së në zona të ndryshme.

“Ne nuk dinim shumë, pak fare. Përpiqeshim që të kuptonim se si ishte e organizuar dhe strukturuar UÇK-ja. Më kujtohet që vëzhguesit e Bashkimit Evropian kishin përvoja të ndryshme në pjesët e ndryshme të Kosovës gjatë kontakteve të tyre me UÇK-në. Disa ishin më agresiv, disa trajtonin praninë e vëzhguesve në mënyrë më të qetë”, tha ai.

Kickert shtoi se kishte ndjesinë se zonat e ndryshme të UÇK-së nuk e kishin strukturën e njëjtë.

“Në atë kohë, ndjenja ime ishte që ishte një qendër në rajonin e Drenicës, por jo që detyrimisht UÇK-ja në pjesën perëndimore të Kosovës në zonën e Dukagjinit për shembull ishte në të njëjtën strukturë apo e centralizuar në të njëjtën strukturë”, tha Kickert.

Përpara kësaj, dëshmitari tha se nuk kanë qenë shumë të interesuar për strukturën e UÇK-së në verën e vitit 1998, por që interesi i tyre ishte që të gjenin dikë që ta përfshinin në procese politike.

“Ne, donim që të kontaktonim me persona që mund të flisnin në emër të UÇK-së dhe të përfshiheshin në procesin politik. Sigurisht që për të gjetur dikë që kishte kompetencë dhe autoritet në emër të UÇK-së dhe që mund të flisnim do duhej që ai të kishte informacion të përgjithshëm mbi UÇK-në”, tha ai.

Diplomati Kickert pohoi se në verën e vitit 1998 është takuar me diplomatin Richard Holbrooke dhe që në njërin prej këtyre takimeve kishte thënë që nuk dihej që UÇK-ja nëse ka ndonjë zingjirë të brendshëm komandues.

“Besoj që amerikanët kishin më shumë informacione inteligjencë sesa ne. Amerikanët kishin një prani në Prishtinë, kishin edhe një Shërbim të Informacionit të Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, që ne evropianët nuk kemi pasur prani të vazhdueshme atje. Kështu, që si e kemi kuptuar situatën ne atëherë ishte që prezenca apo prania e Shteteve të Bashkuara përfshinte edhe pjesën e informacionit inteligjent ose informimit në përgjithësi”, tha ai në vazhdim.

Prokurori thotë se Krasniqi gërvishti Rugovën në fotografi për shkak të armiqësisë, mbrojtja e konsideron paragjykim

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitarit Jan Kickert iu prezantua një fotografi, në të cilën u tha se shihej delegacioni i Rambujesë, e që në të ishte i gërvishtur ish-Presidenti Ibrahim Rugova. Gërvishtja pretendohet se u bë nga Jakup Krasniqi.

Pasi dëshmitari identifikoi që personi që është gërvishtur në fotografi është Rugova, prokurori kërkoi që kjo provë të pranohet në prova materiale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, duke u përgjigjur në pyetjen e trupit gjykues, prokurori John Capin tha se fotografia e dëmtuar e cila është gjetur në shtëpinë e Krasniqit, reflekton ndjesinë e armiqësisë që ka pas i akuzuari ndaj Rugovës.“Me sa kam unë dijeni, kjo është marrë nga një album fotografik nga shtëpia e Jakup Krasniqit. Është një prej shumë fotografive, por asnjë nga fotografitë e tjera nuk është e gërvishtur dhe e dëmtuar si kjo fotografi. Ne mendojmë se kjo fotografi është dëmtuar sepse reflekton ndjesinë që ka pasur ky i akuzuar kundrejt këtij personi, armiqësinë pra”, tha prokurori Capin, duke shtuar se mendojnë që këtë gjë e ka bërë Krasniqi.

Përpara kësaj, pranimin e kësaj fotografie si provë materiale e kundërshtoi mbrojtja e Krasniqit, përmes avokatit Aiden Ellis.

Ellis tha se ajo ka efekt paragjykues pasi që nuk dihet se në çfarë rrethanash është gjetur në shtëpinë e Krasniqit.

“E kundërshtojmë për shkak se nuk ka relevancë dhe nuk ka asnjë vlerë provuese. Sipas nesh, ky nuk është një dokument që shërben për t’i identifikuar anëtarët e delegacionit të Rambujesë sepse trupi gjykues ka shumë materiale në lidhje me Rambujen, por ky është paragjykues si dokument sepse është gërvishtur fotografia e Ibrahim Rugovës, kjo është e vërtetë. Prokuroria nuk është në gjendje ta thotë kush e ka gërvishtur fotografinë e tij, kur është gërvishtur fotografia e tij dhe jam i bindur që prokurori do të thotë që ky është një dokument që është gjetur gjatë bastisjes së shtëpisë së zotëri Krasniqi”, tha Ellis.

Ai gjithashtu tha se kjo fotografi nuk ka asnjë provë se s’i ka përfunduar në shtëpinë e Krasniqit dhe sipas tyre relevanca është shumë e vogël.

“Nuk ka asnjë provë që vërtetohet se si ka përfunduar kjo fotografi në shtëpinë e zotëri Krasniqi dhe mendojmë që relevanca është shumë e vogël dhe ka një efekt paragjykues të pranohet kjo fotografi pa u vërtetuar… në ç’kusht është gjetur kjo fotografi në shtëpi të Krasniqit. Ne mendojmë që efekti cenues dhe paragjykues që ka kjo fotografi është tepër i dëmshëm edhe nuk ka asnjë vlerë provuese”, tha Ellis.

Megjithatë, kryetari i trupit gjykues Charles Smith tha se kjo fotografi do të pranohet në prova materiale e që vlera provuese e saj do të përcaktohet më vonë nga trupi gjykues.

Personat që identifikoi dëshmitari Kickert në fotografinë për të cilën u diskutua në seancë, ishin Xhavit Haliti, Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Skender Hyseni, e të tjerë.

“Xhavit Halitin, Skender Hysenin, Ibrahim Rugovën, Ramë Bujën, Bren Shala, Veton Surroin, Fehmi Aganin, është edhe dikush tjetër nga opozita këtu dhe krejt në të majtë Jakup Krasniqi, Hidajet Hyseni”, tha ai.

Përpara kësaj, dëshmitari pohoi se ka kontaktuar me Hashim Thaçin përmes telefoni në vitin 1998 dhe 1999.

“Kam supozuar që ai më kontaktonte me telefon satelit. Më thirrte në telefonin tim celular dhe kam menduar se po përdorte telefon satelit se telefonat celularë në atë kohë në Kosovë nuk qëndronin në të gjithë territorin”, tha ai, duke shtuar se nuk e ka parë ndonjëherë atë që të përdorte telefon satelitor.

Prokurori u fokusua gjithashtu edhe për një sërë takimesh që kishte pasur dëshmitari me Hashim Thaç in, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin në korrik të 1998-ës për të cilat tregoi cili ishte qëllimi i tyre si diplomatë.

“Qëllimi jonë ishte të identifikojmë një person të UÇK-së që do të ishte në gjendje të përfshihet në procesin politik dhe të ishte me autoritet në emër të UÇK-së”, tha ai, duke shtuar se nuk dinin asgjë për UÇK-në se si funksiononte.

Ndërsa, për një takim tjetër i cili ishte mbajtur në janar të 1999 lidhur me lirimin e pesë ushtarëve serbë, dëshmitari tha se ka qenë takim i gjatë për shkak se anëtarët e UÇK-së konsultoheshin dhe kishin përshtypjen se vendimmarrja ishte kolektive.

“Ka qenë takim i gjatë sepse mendoj se nuk mund të merrej vendimi menjëherë. Për t’u konsultuar mbase. Përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës në atë takim konsultoheshin me të tjerët. Nuk ishte e pazakontë diçka e tillë. Gjatë gjithë angazhimeve që kemi pasur me UÇK-në nuk ka pasur një person që mund ta merrte vendimin vetë. Ne, kishim përshtypje se vendimmarrja ishte kolektive”, tha ai.

Diplomati austriak nis dëshminë në Hagë, ZPS thotë se është takuar me katër të akuzuarit gjatë luftës në Kosovë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 68-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jan Kickert, i cili mban kodin W02144 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selmit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurori John Capin, ky dëshmitar gjatë vitit 1997 deri në vitin 1999 ka punuar si diplomat austriak në Serbi dhe se është takuar me krerë të UÇK-së duke përfshirë katër të akuzuarit.

“Nga fundi i vitit 1997 deri në mars të vitit 1999, Jan Kickert ka punuar në Beograd si diplomat austriak. Në fillim të vitit 1998 ka udhëtuar në Kosovë i ngarkuar për t’u takuar me udhëheqësit e partive, ndërkombëtarë dhe anëtarëve të tjerë. Vizitat e Kickert në Kosovë janë bërë më të shpeshta në pjesën e dytë të vitit 1998 pasi ai ishte udhëzuar të krijojë një pikë kontakti me udhëheqjen e UÇK-së për t’i angazhuar ata në procesin politik. Për të arritur këtë qëllim, ai ka marrë pjesë në disa takime me anëtarë të Shtabit të Përgjithshme; përfshirë Hashim Thacin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin”, tha prokurori Capin.

Prokurori Capin tha se dëshmitari ka marrë pjesë në një takim për të diskutuar lidhur me lirimin e disa ushtarëve serbë.

“Në korrik të vitit 1998, Kickert u takua me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe pastaj ndaras me Jakup Krasniqin. Më 1999, Kickert mori pjesë në takim për të negociuar lirimin e ushtarëve serbë. Kickert ishte vëzhgues gjatë negocitave gjatë dhe pas Konferencës së Paqes në Rambuje, duke ndërvepruar me udhëheqjen UÇK-së, duke përfshirë edhe Hashim Thaçin. Në mars të vitit 1999, Kickert mori pjesë në një takim për të diskutuar marrëveshjen e Rambujesë me udhëheqësit e UÇK-së duke përfshirë Rexhep Selimin, Jakup Krasniqit”, tha Capin.

Më 1999, u tha se ishte këshilltar politik i UNMIK-ut.

Dëshmitari pohoi se ka dhënë dëshmi edhe në rastin e Fatmir Limajt. Si rrjedhojë e seancës, në prova materiale u pranuan dy dëshmitë e dëshmitarit të dhëna më herët pranë autoriteteve të drejtësisë së bashku me materialet përcjellëse.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë rreth tetë orë e gjysmë e që një prej tyre është parashikuar për pyetjet e ZPS-së ndërsa shtatë e gjysmë për kundërpyetjet e mbrojtjes.

Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e  gjyqit, përveç Jakup Krasniqit i cili është i pranishëm përmes video-lidhjes.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në seancën e sotme pritet të dëshmoi dëshmitari i rradhës.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dje ka dëshmuar dëshmitari i 67-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili është i mbrojtur.

Ky dëshmitar ka dëshmuar përmes video-lidhjes.

Dëshmitari i 67-të në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, ka deklaruar se pas asaj se çfarë i kishte ndodhur nga anëtarët e UÇK-së më 1998, nëse nuk do ta kishte përkrahjen e familjes do të kishte përfunduar në Psikiatri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat