Gati dy vjet kohëzgjatja mesatare për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit në gjykatat e Kosovës

Aktuale

Gati dy vjet kohëzgjatja mesatare për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit në gjykatat e Kosovës

Më: 29 maj 2024 Në ora: 13:05
Foto ilustrim

Gati dy vjet është kohëzgjatja mesatare për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit në gjykatat në vend, bazuar në një raport të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) që ka monitoruar 458 seanca gjyqësore në periudhën 1 prill 2023 – 31 mars 2024.

Raporti i publikuar të martën ka përfshirë gjetjet nga 458 seancat, 322 prej të cilave janë zhvilluar e 127 ose janë mbajtur me vonesë ose janë anuluar. Për rezultate, GLPS-ja ka thënë se ka analizuar edhe 143 aktgjykime të publikuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Janë pesë gjetje kryesore të raportit.

Aty thuhet se numri i lartë i seancave të anuluara apo mbajtura me vonesë, kontribuon ndjeshëm në zvarritjen e zgjidhjes së rasteve të korrupsionit. Arsye kryesore janë mosparaqitja e palëve në gjykim dhe neglizhimi i gjykatave në lëshimin e urdhërarresteve. “Po ashtu, shumë seanca dështojnë për çështje teknike dhe administrative, përfshirë mungesën e personelit kyç dhe planifikimin e dobët”, thuhet në gjetjen e dytë të raportit.

Prishtina ka pasur numrin më të madh të aktgjykimeve të publikuara (43), ndjekur nga Mitrovica dhe Gjilani (25).

“Kohëzgjatja mesatare për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit ishte 688 ditë, me variacione rajonale të dukshme. Nga 143 aktgjykime, 89 ishin aktgjykime dënuese. Nga këto 89, 51 ishin dënime me gjobë, 9 me burg, 6 me burg dhe gjobë, dhe 1 me gjobë dhe burgim me kusht. Dënimet plotësuese të ndalimit të ushtrimit të funksionit në administratën publike janë aplikuar rrallë”, thuhet në gjetjet tjera.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat