Dhjetë ditë pas mbylljes së gjashtë njësive të Bankës Postare Kursimore në veri të Kosovës, policia ka hyrë sërish të mërkurën në zyrat e njërës prej këtyre selive në Mitrovicë të Veriut.
Ndërhyrja është bërë në një kasafortë për të cilën nuk ka pasur çelës në aksionin paraprak, ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë në rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Në njërën nga 6 lokacionet që tashmë i kemi pas bastis, ka mbet një sef (kasafortë) pa u kontrolluar sepse nuk e kemi pas çelësin.

Sot e kemi marr çelësin dhe e kemi kontrolluar edhe këtë sef. Nuk ka zhvillim të ri të situatës, por veç jemi marr me një vend që tashmë e kemi nën kontroll”, është shprehur ai.