A po rrezikohet Kosova nga lufta me Serbinë? Flet ministri i Mbrojtjes dhe eksperti i sigurisë

Aktuale

A po rrezikohet Kosova nga lufta me Serbinë? Flet ministri i Mbrojtjes dhe eksperti i sigurisë

Më: 29 maj 2024 Në ora: 16:48
Pamje nga Mitrovica

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci deklaroi se edhe pse nuk mendohet se lufta do të nisë nesër, sërish indikacionet politike të bëjnë të mendosh se gjërat do të arrijnë në atë pikë. Ai u shpreh se kërcënimi nga Serbia është i vazhdueshëm andaj është rritur kapaciteti i ushtrisë.

Për këtë deklaratë të ministrit Ejupi, gazeta ka kontakuar ekspertin e sigurisë, Drizan Shalën.

Shala tha se siguria në veri duhet të ndahet në dy pozicione.

“Siguria në katër komuna veriore duhet të ndahet në dy pozicione ajo që atakon sigurinë e përgjithshëm dhe sigurinë politike në veri, sepse në aspektin e sigurisë përgjithshme mund të themi që Policia e Kosovës nën suportimin /mbështetjen e AKI-se ka të menaxhueshme /kontrolluar atë hapësirë duke ju ofruar sigurinë për qytetarët e komuniteteve në atë pjese por njeherit edhe liruar e çliruar nga grupet politiko/kriminale të Serbisë dhe eksponentëve të saj”, u shpreh ai.

Teksa komentoi deklaratën e ministrit, ai kërkoi që të punohet më shumë për forcën duke shtuar se do të ketë ndryshime të ekuilibrit në vendet e rajonit.

“Ndërsa në lidhje me deklarimin për luftë nga ana e ministrit të mbrojtjes mund të themi që do të këtë ndryshim të ekuilibrit të sigurisë në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor ku as Kosova nuk do të mund të mbetet as imun por as e pavarur nga tentative për një konflikt apo operacion special të Serbisë në drejtim të vendeve që ajo i ka përcaktuar si interes të saj”, tha Shala.

“Ministri duhet të vazhdoj të punoj më shumë për forcën se sa të deklarohet për gjëra që janë në opinionin e Kosovës por edhe të Evropës në tërësi që bota po merr forme të re të rendit botëror në vend”.

Çka deklaroi ministri?

Ministri Ejup Maqedonci e cilësoi si shqetësuese faktin se politikisht Serbia vazhdon të ketë një qasje agresive ndaj Kosovës, ndërsa ushtarakisht ajo po rrit kapacitetet, gjë që sipas tij është shqetësuese për të gjithë rajonin.

“Nuk është se lufta do të fillojë nesër. Por indikacionet politike nuk japin zgjidhje tjetër nëse vazhdohet me këto formate politike. Mandati i KFOR-it është ruajtja e kufirit, por krahas kësaj ne po zhvillojmë ushtrinë e Kosovës me të gjitha kapacitetet dhe me të gjitha trajnimet e nevojshme dhe po përpiqemi për të qenë të gatshëm gjithmonë për të mbrojtur territorin e vendit tonë, pa cënuar territorin e asnjë vendi përreth dhe këtë do e bëjmë me çdo mjet e çdo kusht nëse paraqitet nevoja. Synim duhet të jetë paqja, stabiliteti dhe integrimi në NATO. Shqetësues mbetet fakti që Serbia politikisht ka qasje negative në raport me republikën e Kosovës dhe ushtarakisht të rrisë kapacitetin e saj. Kjo krijon pasiguri jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin”, tha ai.

Maqedonci tha gjithashtu se janë 48 baza të Serbisë që ndodhen shumë pranë kufirit me Kosovën dhe përbëjnë kërcënim jo vetëm për vendin, por edhe për paqen dhe sigurinë në rajon.

“Për disa vite kemi një militarizim të Serbisë, si në aspektin e furnizimit me sisteme të armatimit, në tentativën për të rritur numrin e personelit ushtarak, edhe në plotësimin e njësive të saj. Për disa vite ne jemi dëshmitarë që Serbia mban tre nga katër brigadat e saj në jug të territorit të saj, jo shumë larg kufirit me Kosovën.

“Gjithashtu mban 48 baza ushtarake, 20 prej tyre të xhandarmërisë dhe 28 ushtarake, me distancë 300 metra deri në 5 kilometra nga vija kufijtare me Republikën e Kosovës. Këto normalisht paraqesin kërcënim, janë një vegël presioni ndaj Kosovës, por edhe paqes e stabilitetit në rajon”, tha Maqedonci.

Pas tensioneve Kosovë-Serbi, Gjermania ua zgjat mandatin ushtarëve të saj në Kosovë

Kabineti qeveritar i Gjermanisë, nën udhëheqjen e kancelarit të Olaf Scholz, ka miratuar vendimin për zgjatjen edhe për një vit të mandatit të ushtarëve që shërbejnë në kuadër të misionit të KFOR-it.

Njoftimi u dha nga Ministria Federale e Mbrojtjes së Gjermanisë.

Kjo ministri thekson se ky vendim vjen pas ngritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ushtarët e dislokuar aktualisht përfshijnë rreth 210 të një kompanie operative gjermane që do të vendosen në terren për një vit në të ashtuquajturën Komanda Rajonale Perëndimore. Kompania e re synon të zëvendësojë forcat austriake dhe të trajnohet për të kontrolluar trazirat”, thuhet në njoftim.

Bundeswehr-i gjerman është prezent në Kosovë që nga 12 qershori 1999.

Në përgjigje të trazirave të vitit 2023 dhe situatës së paqëndrueshme në veri të Kosovës, NATO ka bërë thirrje për përforcime për forcat e sigurisë së KFOR-it.

Misioni është të krijojë dhe të mbajë një mjedis të sigurt në Kosovë për vendosjen e rendit civil të paqes dhe të garantojë sigurinë dhe rendin publik.

KFOR-i gjithashtu ofron ndihmë humanitare në situata emergjente, promovon kthimin e refugjatëve dhe personave të zhvendosur dhe mbështet organizatat ndërkombëtare të ndihmës në punën e tyre.

Aktualisht në Kosovë ka një prezemcë prej 290 ushtarësh gjermanë.

Tani i mbetet në dorë Bundestagut të votojë për këtë vendim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat