“Aida kishte të drejtë…”/ Haki Abazi “shpërthen” pas deklaratave të Presidentes për Kurtin, Konjucën e Gërvallën

Aktuale

“Aida kishte të drejtë…”/ Haki Abazi “shpërthen” pas deklaratave të Presidentes për Kurtin, Konjucën e Gërvallën

Nga: M.L. Më: 29 maj 2024 Në ora: 17:37
Haki Abazi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, për mos-informim rreth letrës që ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e kishte dërguar në Këshillin e Evropës, duke e arsyetuar se Osmani ka qenë në vizitë jashtë vendit.

Mes tjerash, Osmani ka thënë se me letrën e dërguar nga kryediplomatja, Donika Gërvalla, ka rënë në ujë oferta e nënshkruar nga tre liderët institucional që nuk duhet të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova.

E në lidhje me këto zhvillime ka reaguar deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi.

Ai në një postim në Facebook, ka treguar për vështirësitë që i ka hasur si Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, për shkak të problemeve që ia krijonin Kurti, Konjufca e Gërvalla, e për të cilat presidentja nuk kishte besuar se po ia bëjnë me qëllim.

“Aida kishte të drejtë…

Kur unë kisha probleme me Kurtin dhe Konjufcën, kur ata të dy bashkë me Gërvallën shkelnin procedura e merrnin vendime jo ligjore dhe joracionale, Presidentja thoshte se nuk beson që e bëjnë me qëllim. Tani është bindur besoj!

Si Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme përveç arritjeve dhe sukseseve për të hapur dyer të institucioneve ndërkombëtare dhe shteteve mos njohëse, problemin kryesor e kisha që Kurti bashkë me Konjufcën dhe Kusarin nuk aprovonin as edhe udhëtimet për takime zyrtare nga frika prej suksesit dhe arritjeve! Çmenduri totale!”, ka shkruar Abazi,

Sipas Haki Abazit, tani pas reagimit të sotëm të presidentes do të pasojë linçimi për të nga LVV në mediet sociale.

“Tani pas të gjithëve i ka ardhur koha për linçim edhe Vjosa Osmanit nga propaganda fashiste e LVV në mediat sociale. Kurti u mundua ta fuste në luftë me prokurorinë dhe gjyqësinë, sepse kështu e fut në qarkun antikushtetues, tani priteni sulmin duke e tentuar për ta futur në lojë Memlin dhe PDK për ta bërë shkrumb edhe Vjosën dhe PDK!

Unë nuk dua të “ngrohem” në zjarrin e djegies së Presidentes as të PDK sepse është koha me kuptu që kemi të bëjmë me një narcisit, mashtrues dështak dhe një komunist të brymosur me vlerat e Fadil Hoxhës dhe vëllezërve të tij që kanë vrarë Shaban Polluzhën dhe bashkëluftëtarët. Kurti vret e shkel mbi gjakun e shqiptarëve për ideologjinë e tij dhe për të ikur nga përgjegjësia u dërgon lule te varri. Ai ti falë të gjitha, edhe Kusarin ta bën yll por suksesin e nuk ta falë kurrë! “, ka shkruar ai.

Në fund, deputeti Abazi ka thënë se demokracia dhe funksionimi demokratik është në rrezik nga diktatura elektronike e Kurtit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat