Publikohet fotoja, ky është spiuni serb i arrestuar në veri të Mitrovicës
Marko Knezhevic, i njohur me nofkën 'Drug Crni', nga rrethina e Beogradit, që dyshohet të jetë spiun i Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë serbe (BIA), është arrestuar nga policia të mërkurën pasdite në banesën ku ka jetuar për disa vite, e cila ndodhet në rrugën 'Vllado Cetkovic' në veri të Mitrovicës.
Burime të medias nga veriu, bëjnë të ditur se i dyshuari gjatë kohës sa ka qëndruar në territorin e Republikës së Kosovës ka përdorur dokumentacion të rrejshëm të një personi me nacionalitet serb, tashmë të vdekur, nga fshati Frashër (Svinjare) të Mitrovicës.
Raportohet në banesë i janë gjetur dhe konfiskuar letërnjoftimi i tij zyrtar që dëshmon se është pjesëtar i MUP-it të Serbisë, disa dokumente tjera poashtu të MUP-it, si dhe disa laptopë.
Burimet më tej kanë shtuar se i arrestuari është bashkëpunëtor i ngushtë i ish drejtorit të BIA-s, Aleksandar Vulin.
Ai në raste të caktuara ka prezantuar ID të gazetarit, përmes së cilës ka përcjellur nga afër situata dhe zhvillime të caktuara.
Policia arreston në Leposaviq bashkëpunëtorin e ngushtë të Vulinit, ja për çfarë dyshohet
Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka arrestuar një person në Leposaviq nën dyshimin për vjedhje të identitetit.
Personi i ndaluar me inicialet M.K është ndaluar për 48 orë. Lajmin e ka konfirmuar zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
“I dyshuari është arrestuar në rrugët e Leposaviqit dhe më pas i është bastisur banesa në veri të Mitrovicës ku janë konfiskuar disa prova materiale. I njëjti me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “vjedhje e identitetit”, ka thënë Elshani.
Ai ka shtuar se i dyshuari ka dy identitete – një për dokumente serbe dhe tjetri për dokumente të Kosovës.
Ndërkaq sipas mediave lokale në gjuhën serbe, M.K thuhet se është bashkëpunëtor i zëvendëskryeministrit aktual serb, Aleksandar Vulin.
Sipas mediave në gjuhën serbe M.K ishte i angazhuar në rrjetin “Most” për disa vite në pozicionin e gazetarit, pra anëtar i këshillit mbikëqyrës të këtij rrjeti.
Ishte bashkëpunëtor i ngushtë ish-drejtorit të të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Aleksandar Vulin dhe një zyrtari në partinë e tij, Lëvizjen Socialiste.
Në kohën kur Vulin drejtonte Zyrën për Kosovë, M.K ishte përgjegjës për marrëdhëniet me mediat.