Deklarata e presidentes, Vjosa Osmani për mungesën e koordinimit në çështjet e anëtarësimit në organizatën evropiane, ka nxitur reagime nga pozita dhe opozita. Derisa partia në pushtet mohon çdo përçarje me presidenten, opozita këmbëngul se mungesa e koordinimit mes institucioneve po dëmton politiken e jashtme.
Derisa Osmani ka theksuar se nuk është informuar në lidhje me letrën dërguar në KiE, nga mazhoranca deklarojnë se kjo kishte të bëjë më shumë me çështje teknike, mirëpo duke shtuar se raporti i tyre me presidenten është i shkëlqyer.
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja ka theksuar për KosovaPress se marrëdhëniet me presidenten janë të mira, dhe se është detyre e tyre të respektojnë misionin e saj.
“Nuk e besoj që ka ndonjë përçarje, ekzistojnë botëkuptime të ndryshme në politikë dhe për këtë arsyeje gjithmonë vendit i duhet një president. Ne kemi raporte të shkëlqyeshme, të paktën në subjekt gjithmonë kemi vetëm raporte respekti për pozitën e presidentes, por ja që kohë pas kohe mund që në një moment të caktuar mund të ketë edhe botëkuptime të ndryshme në teknikalitetet ose strategji. Por, e vërteta është që marrëdhëniet nga perspektiva jonë, janë të mira, e kemi edhe për detyrë të respektojmë misionin e presidentit”, thotë Muja.
Për dallim nga pushteti, deputetet opozitar thonë se ka munguar vazhdimisht bashkëpunimi i Qeverisë Kurti me presidenten. Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi derisa ka thënë se ka mungesë koordinimi, ka shtuar se presidentja Osmani duhet të luajë më fuqishëm rolin e saj kushtetues, në mënyrë që mos të bije në grackë të Kurtit.
“Gjithçka pritet prej kësaj qeverie dhe prej kryeministrit Kurti, e presidentja duhet të luajë rolin e saj kushtetues, dhe besoj që presidentja nuk do të bijë grackë e Kurtit, sikurse tre vite e gjysmë që nuk kanë pasur koordinim, nuk kanë pasur bashkëpunim, mirëpo presidentja është dashtë edhe më mirë dhe më fortë të luajë rolin e saj kushtetues. Tani kjo përçarje mes tyre siç kemi parë nuk është e papritur, sepse duke e njohur personalitetin e Kurtit, sigurisht se e ka të pamundur të gjejë bashkëpunëtor dhe aleatë të vet...Gjithçka që ka vepruar kjo qeveri është në dëmin e qytetareve të Republikës së Kosovës, është presidente dhe konform kushtetutës duhet të ushtrojë detyrën e saj me fuqishëm dhe jo t’i nënshtrohet Kurtit”, thekson Bunjaku.
Se ka përçarje mes qeverisë dhe presidentes e thotë edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Pal Lekaj. Sipas tij, ky mos koordinim i tyre po i shkakton dëme Kosovës.
“Po shihet që nuk ka koordinim mes tyre, dhe mos koordinimi i tyre po i shkakton dëme Kosovës. E pamë edhe dje deklaratën e presidentes, më të drejtë, sepse nëse nuk koordinohet politika e jashtme me presidenten, atëherë nuk dihet se ku do të shkojë Kosova”, thotë Lekaj.
Në anën tjetër, Konjufca më herët ka deklaruar se kjo ka të bëjë më shumë me çështje teknike dhe jo si diçka të qëllimshme.
“Kjo kam hamendësuar se ka mundur të ndodhë për shkak të vizitës që ajo e kishte në SHBA, ku për shkak të largësisë, me siguri jo çdo hollësi e cila do të ndryshonte çdo minutë në ditën e votimit që e kishim nga ana e Këshillit të Ministrave për KiE mund të ndahet dhe mund të koordinohet”, ka thënë ai.
Kosova nuk u përfshi në agjendën e KiE më 16-17 maj. Kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti francez Emmanuel Macron thanë në një letër se “ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar të asociacionit, aplikimi në KiE s’do të merr mbështetjen e duhur”.