​Krasniqi: PDK e gatshme për cilindo variant që mundëson zgjedhje të parakohshme

Aktuale

​Krasniqi: PDK e gatshme për cilindo variant që mundëson zgjedhje të parakohshme

Më: 30 maj 2024 Në ora: 21:22
Pamje nga takimi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot takime të ndara me kryesinë e partisë dhe kolegjiumin e kryetarëve të degëve të PDK-së, ku temë diskutimi ishin zhvillimet e fundit politike në vend.

Krasniqi ka shprehur keqardhje për humbjen e mundësisë për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi thirrja dhe propozimi i PDK-së për koordinim mes partive më të mëdha politike lidhur me këtë proces nuk e ka gjetur mbështetjen e nevojshme.

Ai ri-përsëriti se PDK-ja e ka dëshmuar seriozitetin e saj për t’i dhënë fund keqqeverisjes aktuale dhe vazhdon të jetë e gatshme për cilindo variant që do të mundësonte zgjedhje të parakohshme.

“Deri atëherë, Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë zëri më i fuqishëm opozitar në vend”, ka thënë Krasniqi.

Duke theksuar se Kosovës i duhet një qeveri kredibile, Krasniqi tha se PDK e ofron alternativën më të mirë për qytetarët përmes vizionit dhe programit të kandidatit të saj për kryeministër Bedri Hamza.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat