Komisioni Hetimor për tekstet shkollore: Të gjitha DKA-të përfshihen në procesin e hetimit

Aktuale

Komisioni Hetimor për tekstet shkollore: Të gjitha DKA-të përfshihen në procesin e hetimit

Më: 31 maj 2024 Në ora: 16:02
Foto ilustrim

Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore ka vendosur që në këtë proces të përfshihen të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA). Në diskutimin e sotëm të këtij komisioni, u tha se në mbledhjet e ardhshme do të propozohen dëshmitarët.

Kryetari i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj ka kërkuar që në këtë proces të përfshihen të gjitha Drejtoritë Komunave të Arsimit.

Dreshaj: Propozim im është që të përfshihen të gjitha DKA-të

“Një shqetësim e kam pasur mbledhjen e kaluar kur është ngritur çështja e DKA-ve dhe një propozim ishte që vetëm shtatë komuna të mëdha, ndërsa një propozim tjetër ishte të gjitha komunat. Për hir të së vërtetës ndoshta më mirë do të ishte secilës DKA të secilës komunë të ju dërgohen pyetje dhe të kemi një pasqyrim të plotë dhe jo vetëm shtatë komunave. Mendoj që nuk na merr shumë kohë edhe për të analizuar ato dokumente”, ka thënë ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja tha se në mbledhjen e radhës do të propozohen dëshmitarët të cilët do të raportojnë në këtë komision.

Muja: Në mbledhjen e radhës do të propozohen dëshmitarët

“I propozuam provat po supozoj që do të kemi një afat të caktuar se kur do të duhej të na sillnin këto informacione. Dakordimi ynë ka qenë që diku shtatë deri në dhjetë ditë dhe pastaj gjatë kësaj periudhe mund ta kemi ndoshta edhe një mbledhje të radhës ku do të propozohen pastaj dëshmitarët tjerë. Si rregull, meqë propozuesi ka qenë nga PDK, ne duhet ta kemi besimin për të ju dhënë përparësi në propozimin e dëshmitarëve sikurse në anën tjetër do të kemi edhe ne të tjerët ndonjë dëshmitar për të propozuar”, tha ai.

Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit Fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, është themeluar nga Kuvendi i Kosovës më 4 prill.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat