​Hapja e urës në Mitrovicë, BE kërkon përmbajtje nga veprimet provokuese

Aktuale

​Hapja e urës në Mitrovicë, BE kërkon përmbajtje nga veprimet provokuese

Më: 31 maj 2024 Në ora: 19:47
Ilustrim

Bashkimi Evropian u ka bërë sot thirrje Kosovës dhe Serbisë të zbatojnë marrëveshjet e dialogut pa vonesë, përfshirë edhe atë për hapjen e urës kryesore në Mitrovicë, pa asnjë parakusht dhe pa e ndërlidhur me ndonjë temë tjetër.

Ioanna Lachana, zëdhënëse e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka thënë se BE mbetet i gatshëm për të lehtësuar bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel.

Duke folur mbi hapjen e urës kryesore në Mitrovicë, Lachana ka shprehur qëndrimin e BE-së përmes të cilit bëhet thirrje që Kosova e Serbia të përmbahen nga veprime provokuese që rrezikojnë stabilitetin dhe largon palët nga zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve si prioriteti i tyre kryesor.

“Hapja e urës së Mitrovicës është temë e dy marrëveshjeve të arritura nga palët në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016. Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për lehtësimin ndër vite, ura mbetet e mbyllur për trafik. Duke qenë se kjo është një çështje që i përket dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim lidhur me urën duhet të bëhet në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lachana.

Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore ka mbështetur në seancën e së premtes vendimin për hapjen e urës së Ibrit edhe për qarkullimin e automjeteve. Këshilltarja komunale Aida Doli ka kërkuar hapjen e urës pavarësisht kundërshtimeve të BE-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat