Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se fëmijët janë shtysa e motivimi i sotëm, shpresa e lumturia, por edhe udhëheqësit e së nesërmes.
Ai në një postim në Facebook ka thënë se fëmijët na bëjnë të mos harrojmë rëndësinë e çiltërsisë dhe harmonisë.
“Çdo punë që e bëjmë e ka si qëllim përmirësimin e jetës në vend e natyrisht dhe të ardhmen. Fëmijët tanë duhet të jetojnë në një shtet të sigurt, që përkujdeset për ta e që i mbron nga çdo e padrejtë. Me politikat e qeverisë sonë, i tillë po bëhet përherë e më shumë shteti jonë. Festojmë ditën e fëmijëve, festojmë të ardhmen”, ka shkruar Kurti.
Dita e Fëmijëve shënohet më 1 qershor në mbarë botën, pasi në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925.