​Rezultatet preliminare të zgjedhjeve në Preshevë dhe Bujanoc

Aktuale

​Rezultatet preliminare të zgjedhjeve në Preshevë dhe Bujanoc

Nga: Bota sot Më: 2 qershor 2024 Në ora: 08:33 Përditësuar në ora: 13:14 më 02.06.2024
Foto ilustrim

Voton Ardita Sinani, bën thirrje që të shfrytëzohet e drejta e votës

Kandidatja për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani ka bërë të ditur se ka votuar, ku është shprehur se sot është dita kur të gjithë bashkë duhet angazhuar që të dilet masivisht e të shfrytëzohet e drejta e votës.

Ajo përmes një shkrimi në Facebook tha se kutia e votimit do ta kenë mendjen tek përcaktimi i përzgjedhjes së atyre që punojnë me zemër për vendin.

“Bashkë me Kotin e Lisin. Sot, është dita kur vendoset për qeverisjen e ardhshme komunale. Vendoset për 4 vitet që i kemi përpara. Sot, është dita kur të gjithë bashkë duhet të angazhohemi që të dalim masivisht e ta shfrytëzojmë të drejtën e votës”.

“Andaj, ju ftoj edhe njëherë që ta shfrytëzoni këtë të drejtë e të dilni të votoni! Të gjithë qytetarët e Komunës së Preshevës, sot te kutia e votimit do ta kenë mendjen tek përcaktimi i përzgjedhjes së atyre që punojnë me zemër për vendin tonë”, ka shkruar ajo.

Mehmeti: Sot është një ditë e veçantë për të gjithë Luginën

Kandidati për kryetar i Preshevës nga Alternativa për Ndryshim, Visar Mehmeti, votoi në fshatin Geraj.

Ai tha se sot është një ditë e veçantë për Preshevën dhe qytetarët duhet të shfrytëzojnë të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarin e ri.

Zgjedhjet në Preshevë, shqiptarët votojnë mes ndërhyrjes së Serbisë

“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë Luginën, e veçantë është sepse fjalën e ka qytetari dhe qytetari vendos se kush do të udhëheqë Preshevën në katër vitet e ardhshme”, deklaroi Mehmeti.

Në Preshevë, procesi është duke vijuar normalisht dhe nuk është raportuar për ndonjë parregullsi.

​Arifi: Qytetarët të dalin në zgjedhje dhe ta votojnë më të mirin

Kryetari aktual i Komunës së Bujanocit, kryetari i Partisë Demokratike, Nagip Arifi, është shprehur se deri më tani procesi i zgjedhjeve në Komunën e Bujanocit është duke vajtur mirë dhe shpreson që të shkojë deri në fund në këtë mënyrë.

Arifi fton të gjithë qytetarët që të dalin sa më shumë në votim dhe të votojnë më të mirin.

Arifi: Ftoj qytetarët që të dalin sa më shumë në votim dhe të votojnë më të mirin

“Sapo përfundova obligimin qytetar, votova, e shfrytëzova këtë të drejtë që mundësohet me ligj. Deri tash procesi i zgjedhjeve është duke vajtur mirë, shpresoj që deri në fund të shkojë kështu. Unë vetëm ftoj qytetarët që të dalin sa më shumë në votim dhe të votojnë më të mirin, dhe pas procesit, kur të mbyllet, do të festojmë”, ka thënë Arifi.

I pyetur se a do të respektoj marrëveshjen e koalicionit me parti të tjera politike shqiptare, Arifi shton se edhe gjatë qeverisjes së tij në 2020-ën ka ftuar të gjithë partitë politike dhe ka arritur një marrëveshje me ta, por edhe tani koalicioni është i mundshëm.

Arifi: Unë shpresoj se prapë do të jetë në atë drejtim, një koalicion i mundshëm

“Është një marrëveshje të cilën duhet ta respektojmë dhe shohim rezultatet në fund. Edhe në vitin 2020, subjekti im, atëherë ka dalë subjekti më i votuar nga qytetarët. I kam ftuar të gjithë subjektet politike shqiptare, kemi arritur një marrëveshje, ku kam pasur një qeverisje gjithë shqiptare. Më gëzon fakti që edhe unë kam qenë i gëzuar në atë drejtim, por edhe popullata. Unë shpresoj se prapë do të jetë në atë drejtim, një koalicion i mundshëm”, ka shtuar ai.

Përndryshe, përveç Arifit dhe Mustafit, kandidatë për kryetar të Komunës së Bujanocit janë edhe Shqiprim Musliu i LPD-së, si dhe Arbër Pajaziti, nga Alternativa për Ndryshim. 

​Voton Mustafi: Bujanoci meriton më shumë, komuna meriton më mirë, shqiptarët meritojnë shumë më mirë

Kandidati për kryetar të Bujanocit, nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik, Ragmi Mustafi ka ftuar të gjithë shqiptarët në Komunën e Bujanocit që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të votojnë me mendje dhe me zemër.

Pas votimit në qendrën e votimit në Tërnoc, Mustafi është shprehur se Bujanoci dhe shqiptarët meritojnë shumë më mirë.

Mustafi: Bujanoci meriton më shumë, komuna meriton më mirë, shqiptarët meritojnë shumë më mirë

“Sot në ora 9:00 unë votova në vendvotimin tek çerdhja. Ftoj të gjithë shqiptarët në Komunën e Bujanocit, sot ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, të vendosin dhe të votojnë me mendjen dhe zemër. Është e rëndësishme që në mënyrë masovike të dilet dhe të vendoset për më të mirët. Ne besojmë që Bujanoci meriton më shumë, komuna meriton më mirë, shqiptarët meritojnë shumë më mirë”, është shprehur Mustafi.

I pyetur se për çfarë kanë nevojë më shumë qytetarët e Bujanocit, Mustafi ka thënë se duan të ruajnë dhe të mbrojnë identitetin kombëtar dhe të ketë zhvillim politik, ekonomik dhe social.

Mustafi: Është ruajtja, mbrojtja e identitetit kombëtar

“Është ruajtja, mbrojtja e identitetit kombëtarë, në radhë të dytë zhvillimi i gjithmbarshëm politik, ekonomik dhe social dhe ne konsiderojmë që me mendjen dhe zemër do të kemi më shumë Kosovë dhe më shumë Shqipëri edhe në Bujanoc”, ka thënë Mustafi.

Gjithashtu, ai ka thënë se presin një intensifikim të marrëdhënieve edhe me Qeverinë e Shqipërisë, pasi që kanë nevojë për mbështetje financiare për projekte dhe programe të cilat janë të nevojshme për qytetarët e Komunës së Bujanocit.

Mustafi: Ne presim intensifikim të marrëdhënieve edhe me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë

“Ne presim intensifikim të marrëdhënieve edhe me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, e cila do të duhej t’i bashkohej jo vetëm me mbështetje morale, por edhe me mbështetjen e nevojshme financiare për projekte dhe programe të cilat janë të nevojshme për qytetarët e Komunës së Bujanocit”, ka shtuar ai.

Kandidatë për kryetarë të Komunës së Bujanocit, përveç Mustafit, janë edhe kryetari i PD-së, kryetari aktual i komunës, Nagip Arifi, Shqiprim Musliu i LPD-së, si dhe Arbër Pajaziti, nga Alternativa për Ndryshim. 

“Ka pasur telefonata anonime”, deputeti shqiptar në Serbi: Besoj se popullata jonë nuk do të bjerë pre e këtyre ndikimeve

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, votoi në qendrën numër 4 në Bujanoc.

Edhe pse një ditë më parë paralajmëroi për ndërhyrje, Kamberi u shpreh se informacionet e para tregojnë për një proces të rregullt dhe pa ndonjë problem.

“Sa i përket ndërhyrjeve në procesin zgjedhor, Serbia është një vend i cili është karakterizuar dhe legjitimuar në një formë edhe me një rezolutë të PE si një vend që ndërhyrjet në zgjedhje janë të shpeshta. Kemi pasur dy ditët e fundit ndërhyrje telefonike në formë të këshillave, sugjerimeve të votojnë për një listë këtu, këshillat vijnë nga telefonata me numër të panjohur, dyshimet janë që janë përfaqësues të organeve shtëtërore që mundohen të ndërhyjnë në procesin zgjedhor, por që besoj se popullata jonë nuk do të bjerë pre e këtyre ndikimeve”, tha Kamberi

Shaip Kamberi uroi që procesi të mbyllet qetësisht.

“Më shumë Kosovë e më shumë Shqipëri në Bujanoc”

Kandidati për kryetar të Bujanocit, nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik, Ragmi Mustafi, votoi në qendrën e tij të votimit në Tërnoc.

Ai ftoi qytetarët e Bujanocit që të shprehin vullnetin e tyre përmes votës, pasi tha se Bujanoci meriton më mirë.

I pyetur se për çfarë kanë nevojë më shumë qytetarët e Bujanocit, Mustafi tha se duan të ruajnë idenitetin kombëtar dhe duan zhvillim: “Në radhë të parë është ruajtja dhe identitetit kombëtar, në radhë të dytë zhvillimi i gjithëmbarshëm politik, ekonomik e social, dhe ne kosniderojmë që me mendje dhe zemër do të kemi më shumë Kosovë e më shumë Shqipëri edhe në Bujanoc”.

Mustafi tha se synon të intesifikojë edhe marrëdhëniet me qeverinë e Shqipërisë, pasi kanë nevojë për mbështetje financiare për shumë projekte.

“Ashtu siç kemi pritur dhe jemi në bashkërendim edhe me qeverinë e Kosovës, presim intensifikim të marrëdhënieve edhe me qeverinë e Shqipërisë, e cila do të duhet jo vetëm me mbështetje morale, por edhe me mbështetje financiare për projekte që janë të nevojshme për qytetarët e Komunës së Bujanocit”.

Në garë për të marrë drejtimin e Komunës së Bujanocit janë katër kandidatë shqiptarë. Përpos Mustafit, edhe kryetari i PD-së, kryetari aktual i komunës, Nagip Arifi, ai i LPD-së, Shqiprim Musliu, si dhe Arbër Pajaziti, nga Alternativa për Ndryshim.

Sinani: 3 minuta për të votuar kushtojnë për katër vitet e ardhshme

Kandidatja për kryetare e Preshevës nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik, Ardita Sinani, kërkoi që dita e sotme të shndërrohet në festë.

“Ftoj të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën për një të ardhme më të mirë, se 3 minuta për të votuar kushtojnë për katër vitet e ardhshme, prandaj dhe i kërkoj të gjithë aktivistëve, të gjitha strukturave të subjekteve politike që të jenë të qetë, të tregojnë maturi”, deklaroi Sinani.

Ajo tha se procesi është i rregullt dhe nuk ka ankesa për ecurinë deri më tani.

“Jemi të përgatitur për të gjitha mekanizmat që mund të përdoren në këtë proces zgjedhor, por sot është ditë feste, deri tani është duke shkuar mbarë”, tha ajo.

“Shqiptarët në Serbi ballafaqohen me shkelje të të drejtave të njeriut”, Pajaziti: Kryetari i Komunës merr mandatin për t’i mbrojtur shqiptarët

Kandidati për kryetar të Bujanocit nga Alternativa për Ndryshim, Arbër Pajaziti, deklaroi pas votimit se do të bashkëpunojë me të gjitha partitë shqiptare për krijimin e qeverisjes së re në rast se ai triumfon.

Pajaziti, i cili garon me një listë të përbashkët edhe me Lëvizjen për Bujanocin dhe Unionin Demokratik Shqiptar, tha se pas rezultateve zyrtare do të ulen me të gjithë partitë për mundësinë e qeverisjes.

"Shqiptarët të vijojnë të drejtojnë Bujanocin"

Pajaziti deklaroi se shqiptarët në Serbi ballafaqohen me shkelje të të drejtave të njeriut, për çka tha se si kryetar do ta ngrejë zërin.

“Sigurisht që kryetari i komunës ka kompetenca dhe ai merr mandatin për t’i mbrojtur qytetarët shqiptarë, do të angazhohemi në të gjitha instancat ndërkombëtare që këto të drejta t’i sigurojmë për qytetarët tanë”, deklaroi Pajaziti.

"Më shumë Kosovë e më shumë Shqipëri në Bujanoc"

Sipas të dhënave të Komisionit Komunal Zgjedhor, procesi në Bujanoc është duke vijuar pa ndonjë problem dhe deri në orën 10:00 përqindja e pjesëmarrjes është 6,5%.

Në Kosovën Lindore filloi procesi zgjedhor

Nga ora 07:00 në Preshevë dhe Bujanoc, janë hapur vendvotimet për zgjedhjet e nivelit lokal. Kjo është konfirmuar për Radio Televizionin e Kosovës nga Komisionet Komunale Zgjedhore në Preshevë dhe Bujanoc, ku nuk evidentohet ndonjë incident i çfarëdo lloj natyre.

Presheva ka rreth 43500 votues të cilët do të votojnë në 37 qendra të votimit për 39 mandate. Në Bujanoc kanë të drejtë vote gjithsej 43046 votues të cilët do të votojnë në 59 vendvotime për 41 mandate.

Në të dy komunat vlen rregulli i njëjtë, i arritjes së shumicës prej 21 mandateve të këshilltarëve për të arritur zgjedhjen e kryetarit të komunës, i cili pra nuk zgjidhet me votën e drejtpërdrejt.

Në Preshevë kemi në garë 6 subjekte shqiptare dhe 1 të pakicës serbe. Në Bujanoc ndërkaq po garojnë 4 subjekte të shqiptarëve, 4 të serbëve dhe 1 subjekt që udhëhiqet nga minoriteti rom.

Ky proporcion tregon se në Preshevë nuk ka rrezik të marrjes së pushtetit nga ana e subjekteve serbe, derisa Bujanoci e ka të domosdoshëm unifikimin e faktorit politik shqiptar dhe daljen sa më të madhe të shqiptarëve në votime, në mënyrë që qyteti të ketë mundësi të udhëhiqet nga ana e shqiptarëve.

Për këtë qëllim, 3 nga 4 subjekte politike shqiptare: Partia për Veprim Demokratik që udhëhiqet nga Shaip Kamberi, Partia Demokratike që udhëhiqet nga Nagip Arifi dhe Lëvizja e Progresit Demokratik me kryetar Shqiprim Musliun, kanë nënshkruar një marrëveshje koalicioni parazgjedhor sipas të cilës, subjekti që merr më shumë mandate do të udhëheqë me komunën e Bujanocit dhe për këtë do të ketë garancë votat e këshilltarëve të subjekteve që marrin më pak mandate.

Kjo për të vazhduar ujdinë që ishte arritur për një koalicion shqiptar në vitin 2020 me ndihmën e ish-ministrit të jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj. Por, në këtë koalicion parazgjedhor nuk është përfshirë subjekti i vetëm shqiptar “Alternativa për Ndryshim”, e cila në komunë të Bujanocit udhëhiqet nga Arbër Pajaziti.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, në një postim që ka bërë një ditë më parë ka folur për ndërhyrje të përfaqësuesve të organeve shtetërore serbe në vullnetin e qytetarëve, në prag të zgjedhjeve të 2 qershorit.

Kamberi, ka ftuar drejtuesit e organeve të shtetit që të qëndrojnë larg ndërhyrjeve se cilën listë dhe cilin kandidat duhet ta votojnë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat