Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri ka folur për dekadën para çlirimit të Kosovës, kryesisht rreth çështjeve dhe figurave politike të asaj kohe.
Një ndër temat e shumta që u diskutua, ishte edhe themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku sipas Tahirit, kjo Lëvizje gjithëpopullore nuk kishte vetëm një lider, por ishin disa.
Përveç presidentit dhe atëherë kryetarit të kësaj partie, Ibrahim Rugovës, dhe kryesisë qendrore, ajo themelues të LDK-së i vlerëson edhe themeluesit e degëve nëpër terren.
“Unë kam qenë një prej themeluesve të degës së LDK-së në Prizren, dhe sado që themeluesit e LDK-së llogaritën ata që e kanë themeluar në Prishtinë, pra në qendër, në një mënyrë ne të gjitha degët kemi qenë bashkëthemelues së Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse degët janë themeluar vetvetiu, pa një organizim nga lartë”.
“Në momentin që është formuar Këshilli Iniciativë për LDK-në edhe ne intelektualët e ndryshëm në qytete të ndryshme, patriotë, e të tjerë dimensione u bashkuam dhe themeluam degët. Prandaj, shpesh po shoh një lloj interpretimi të ngushtë të themeluesve, e kam thënë edhe më herët që kështu ka qenë themelimi”, u shpreh ajo.
Tahiri gjithashtu tha se e njëjta gjë ka ndodh edhe në diasporë, ku sipas saj themelimet kanë ardhë si rezultat i vetiniciativave, duke iu referuar themelimit në Prishtinë.