Seanca në Hagë, Specialja jep detaje për dëshmitarin e radhës: Ishte anëtar i LDK-së i cili është ndaluar dhe rrahur

Aktuale

Seanca në Hagë, Specialja jep detaje për dëshmitarin e radhës: Ishte anëtar i LDK-së i cili është ndaluar dhe rrahur

Më: 3 qershor 2024 Në ora: 08:01 Përditësuar në ora: 12:13 më 03.06.2024
Dëshmitari i 70-të në Gjykatën Speciale.

ZPS për dëshmitarin e 70-të: Ishte anëtar i LDK-së i cili është ndaluar dhe rrahur

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 70-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili është me masa mbrojtëse dhe mbanë kodin W03170 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesi i ZPS-së, prokuror James Pace, dëshmitari ishte anëtar i LDK-së i cili ishte ndaluar së bashku me një person tjetër dhe janë rrahur.

“Dëshmitari 03170 ishte një anëtar i LDK-së që është arrestuar së bashku me një person tjetër. Gjatë transferimit në një prej vendeve ku këta persona janë ndaluar, dëshmitari 03170, duart e tij dhe duart e një personi tjetër u lidhën dhe ata janë kërcënuar dhe janë rrahur”, tha Pace duke vazhduar më pyetje në sesion privat me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarit.

Deklaratat që dëshmitari kishte dhënë më herët për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse u pranuan si prova materiale.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, prokuroria ka paraparë rreth një orë e gjysmë për pyetje, mbrojtja e viktimave 15 minuta si dhe mbrojtja e të akuzuarve rreth pesë orë e gjysmë.

Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit përveç Jakup Krasniqit i cili po e ndjekë seancën përmes video-lidhjes.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në Hagë sipas kalendarit sot të mbahet seancë gjyqësore në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prokuroria e Specializuar ka bërë të ditur se këtë javë janë planifikuar që të dëgjohen dy dëshmitarë të cilët mbajnë kodet 03170 dhe 04410.

Po ashtu, ka bërë të ditur se në rast që ka kohë, mund të thërrasin edhe dy dëshmitarë të tjerë të cilët i kanë gati e që mbajnë kodet 04824 dhe 00992 të cilët do të dëshmojnë me video-lidhje.

Ndërsa gazetari, Nuhi Bytyçi të dielën ka bërë të ditur se ka marrë ftesë zyrtare nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për të dëshmuar gjatë ditëve në vijim në procesin Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi.

“Sipas njoftimit që më është dhënë, dëshmia ime fillon të hënën pasdite, më 3 qershor”, ka thënë ai.

“Ashtu si edhe në vitin 2019, kur kam dhënë dëshminë time para Dhomave të Specializuara, për të cilën e kam njoftuar opinionin publik, edhe kësaj radhe kam shprehur gatishmërinë për të thënë të vërtetën e veprimtarisë sime si gazetar gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Bytyçi.

Bytyçi ka theksuar se lufta çlirimtare e viteve 1998 dhe 1999 simbolizon sakrificën sublime dhe mbijetesën e popullit të Kosovës, dhe është lufta vendimtare që bëri të mundur çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

“Prandaj, dëshmia ime në Hagë, ashtu si çdo herë do të jetë në shërbim të së vërtetës së luftës çlirimtare të UÇK-së, të argumentimit të sakrificës së luftëtarëve të lirisë dhe mbështetjes së popullatës civile dhënë UÇK-së, të cilën unë dhe shumë kolegë të mi gazetarë e kemi prezentuar në mënyrë profesionale në ekranet televizive në mediat vendore dhe ato ndërkombëtare gjatë periudhës së luftës çlirimtare”, ka thënë ai.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës nëtë enjten e ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i 69-të i ZPS-së. Dëshmia e këtij dëshmitari është dëgjuar e tëra në sesion privat për publikun.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat