Viti 2016 ishte vit tragjik për familjen Mramori nga Prishtina.
Ata humbën dy fëmijët e tyre në një pus të hapur pranë shtëpisë.
Edhe sot, tetë vite prapa, kjo çështje vazhdon të jetë e pambyllur.
E lidhur me ngjarjen ka folur babi i dy fëmijëve të ndjerë, Muhamet Mramori.
“Me një fjalë me thënë, fëmijë të dashur, kanë qenë nxënës të mirë, të afërm me të gjithë, edhe në jetë kanë qenë të pandashëm”, tregon Mramori për fëmijët e tij.
Tutje, ai thotë se i ka edhe dy vajza të tjera.
“Vajza e vogël që ka qenë me ta ka shpëtuar, dhe e kam edhe një vajzë tjetër 6 vjeçe”.
Lidhur me incidentin, kompania asnjëherë nuk e thirri Mramorin, as për të shprehur keqardhje.
Po ashtu, Mramori shprehet se nga momentet e bukura me fëmijët e tij, në mendje mbet vetëm ai i fundit.
“Momente ka shumë me ta, por më e keqja është se në kokë të mbet ai moment i fundit, a atë nuk dua ta kujtoj kurrë. Ai moment kur i kanë nxjerr nga gropa e i kanë shtrirë në tokë”.