Mbi dy mijë persona kanë aplikuar deri më tani për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale. Pranë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, këtë vit kanë deponuar historitë e tyre 81 gra e burra.
Kështu u tha në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, ku të ftuar kanë qenë anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë luftës. Këta të fundit janë kritikuar nga deputetët për qasje jo korrekte ndaj viktimave dhe pyetje të pa përshtatshme gjatë intervistimit.
Kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, Leonora Selmani tha se këtë vit është shënuar numër i madh i rasteve të cilat janë dërguar në gjykata.
Selmani: Sivjet kemi më shumë raste të cilat janë në gjykata
"Sivjet kemi më shumë raste të cilat janë të gjykata, sepse janë raste të cilat kanë shkuar në gjykatë dhe kthehen në rishqyrtim dhe rivendosje apo edhe ndryshe. Dhe procesi i aplikimit ka vazhduar me rrjedhë të njëjtë. Nëse e shohim trendin e aplikimeve është gati se e njëjtë me vitet tjera. Është mirë që është bërë vazhdimi i afatit të aplikimit edhe për dy vite, sepse konsideroj që është dëshmuar që ka pasur nevojë. Sepse njerëzit ende po vazhdojnë të aplikojnë edhe në ritmin e njëjtë siç ka qenë edhe herëve të tjera. Kështu që po shpresoj që është dashur të mendohet edhe për më tutje edhe për dy vite të tjera shtesë, në bazë të dhënave që kemi deri më tash”, deklaroi ajo.
Selmani theksoi se Gjykata Themelore ka vendosur në favor të tri viktimave, pasi të njëjtat kanë ofruar dokumente shtesë.
Selmani: 2083 raste kanë aplikuar deri më tani
“Në komision në total prej momentit kur kemi filluar aplikimet e deri më sot i kemi 2083 raste. Prej të cilave të aprovuara janë 1650, ndërsa të refuzuara janë 316, në pritje për intervistë janë 40 raste dhe prej këtyre 40 rasteve një pjesë janë jashtë vendit, një pjesë janë që kërkojnë të ju jepet mundësia për të ardhur më vonë dhe të trajtuara në total janë 2033 raste deri më tash. Aktualisht presin përgjigje vetëm 50 raste, të cilat ende nuk i ka trajtuar komisioni dhe të cilat janë në radhë për tu trajtuar... Në vitin 2024 kemi pranuar gjithsej 81 aplikime në total, prej shoqërisë civile, departamenteve të familjeve, individëve dhe dëshmorëve që janë në qytete të Kosovës.18 raste janë kthyer në rishqyrtim dhe rivendosje. Janë aprovuar prej Gjykatës Themelore tri raste, ndërsa aprovuar në atë çka ka vendosur komisioni në shkallë të parë dhe pesë prej tyre Gjykata e Apelit ka vendosur që janë si vendim i vlefshëm”, shtoi ajo.
E kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje ka kritikuar komisionin për qasje jo korrekte ndaj viktimave dhe pyetje të pa përshtatshme gjatë intervistimit.
Balje: Ka pasur ankesa të grave për sjellje
“Ata kanë pasur ankesa për sjellje të juaj, doktorit. Ata më shumë kanë pasur ankesa të sjelljeve. Gruaja ka thënë ‘unë kur kam hyrë brenda, ata më kanë thënë hiqe këmishën për të parë shenjat pas 20 vitesh’. Këtu ne kemi pasur më shumë problem dhe nuk e di nëse keni folur mes vete dhe me gjet ndonjë mundësi”, ka pyetur ajo.
Për këtë ka reaguar doktor Shpend Haxhibeqiri, i cili mohoi se ka pasur sjellje të tilla ndaj viktimave.
Haxhibeqiri-Baljes: Gabim e keni informatën
“Po më vjen keq, por krejt je gabim. Unë kurrë nuk i kontrolloj shenjat, gabimin më të madh e ke thënë. Kurrë, asnjëherë unë nuk i kontrolloj shenjat. Gabim e keni informatën”, u përgjigj ai.
Kritika pati edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi Murtezi, e cila përmendi edhe rastin e Vasfije Krasniqit, të cilës nuk i ishte përgjigjur në telefon kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të dhunës seksuale.
Demi-Murtezi: Pa pasur zor të madh Vasfije Krasniqi nuk do të reagonte
“A jeni të gatshëm gjithmonë edhe për Vasfijen edhe për të tjerat, se përderisa potencialisht po pretendojmë dhe po supozojmë që dëshirojmë gjithmonë të jemi gati, pse është bërë një lëshim i tillë? Dy telefonata në një periudhë kohore katër muaj e gjysmë pa përgjigje për një person siç është ajo, për një person që nëse në njërën anë e ka bërë punën komisioni, anën tjetër e ka bërë Vasfija dhe shoqet tjera për sensibilizëm, konsiderojmë që nuk ka qenë një lajm i mirë. Dhe pa pasur një zor të madh ajo nuk ka reaguar në mënyrë të tillë. Kjo bazuar në faktin që sa herë jemi takuar me shoqatat, kanë pasur shumë vërejtje për komisionin ”, u shpreh ajo.
Për shkak të ndjeshmërisë së rasteve, Komisioni për të Drejtat e Njeriut ka vazhduar mbledhjen me dyer të mbyllura.
Afati i fundit për aplikim është 15 maj i vitit të ardhshëm, me mundësi vazhdimi edhe për dy vite të tjera.