Ish-drejtori i Agjencisë së Privatizimit, Ekrem Hajdari, thotë se pa funksionalizimin e Fondin Sovran, Agjencia e Privatizimit nuk shuhet.
Hajdari ka theksuar se AKP ka pasur mundësi të shuhet gradualisht që nga viti 2017.
“Edhe pse për Qeverinë e Kosovës, Ligji për Fondin Sovran parashihte një nga reformat më të mëdha për zhvillim ekonomik të vendit, të gjithë e dimë që ky institucion akoma nuk është krijuar, gjegjësisht funksionalizuar. Sipas programit qeverisës, Fondi Sovran është paraparë të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve dhe zhvillimin ekonomik me theks të veçantë në sektorin e ndërmarrjeve publike. Përveç ndërmarrjeve të mëdha publike, Fondi Sovran do të merrte për sipër edhe asetet me potencial të madh zhvillimor që tanimë akoma janë nën administrimin e AKP-së.
Pikërisht këtu ka qenë edhe momenti kyç kur pritej që gradualisht të bëhej transferimi i këtyre aseteve prej AKP tek FS dhe në këtë mënyrë të bëhej edhe shuarja graduale e AKP-së. Pa funksionalizimin e plotë të FS, AKP vazhdon së ekzistuari. AKP ka mundur të shuhet gradualisht edhe bazuar në planin e përgatitur qysh në vitin 2017, plan ky që ka paraparë përmbylljen graduale të misionit të AKP-së brenda periudhës 7 deri 10 vite”, ka sqaruar Hajdari.