Partia për Veprim Demokratik fiton më së shumti vota në Preshevë

Aktuale

Partia për Veprim Demokratik fiton më së shumti vota në Preshevë

Më: 3 qershor 2024 Në ora: 18:17
Foto ilustrim

Partia për Veprim Demokratik, e udhëhequr në Preshevë nga Ardita Sinani, ka fituar më së shumti mandate në kuvendin komunal të Preshevës, në zgjedhjet e përsëritura lokale, të mbajtura edhe në jug të Serbisë - me shumicë shqiptare - më 2 qershor.

Sinani është këshilltare e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor në Preshevë, Alban Mehmeti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se partia e udhëhequr prej Sinanit do t’i ketë 11 ulëse në Kuvendin komunal.

Alternativa për Ndryshim e Shqiprim Arifit, dhe Partia Demokratike e Shqiptarëve, në krye me Ragmi Mustafën, kanë fituar nga tetë ulëse.

Lëvizja për Reforma e Sami Salihut i ka fituar gjashtë ulëse.

Aleanca për Luginën, e udhëhequr prej Armend Aliut dhe Ilir Sadriut i ka fituar tre ulëse.

Unioni Demokratik i Shqiptarëve, në krye me Naser Azirin, e ka fituar një ulëse, sikurse lista "Aleksandar Vuçiq-Presheva Nesër ", e lidhur me Partinë Përparimtare Serbe (SNS).

Para zgjedhjeve, komuna e Preshevës është administruar prej një Autoriteti të Përkohshëm, të emëruar nga Qeveria e Serbisë.

Komuna e Preshevës i ka mbi 33.000 banorë dhe 61.000 të shqiptarëve të regjistruar në Serbi, në regjistrimin e fundit të popullsisë, jetojnë aty.

Shqiptarë ka edhe në Bujanoc dhe Medvegjë, dy komunat tjera në jug të Serbisë, të banuara nga shqiptarët.

Tri komunat në atë pjesë përbëjnë të ashtuquajturën Luginë të Preshevës.

Në zgjedhjet lokale në Bujanoc, Fronti për Ndryshim ka fituar më së shumti vota 19.17 për qind - sipas të dhënave të zyrtarit të Komisionit komunal Zgjedhor, Fejzi Beqiri, shkruan REL.

Kandidati i Partisë për Veprim Demokratik, Ragmi Mustafi, këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, ka fituar më së paku vota prej të gjitha partive shqiptare që kanë marrë pjesë në zgjedhjet në Bujanoc.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat