Dëshmia e Nuhi Bytyçit/ Prokurori ia prezantoi një gazetë: Në intervistë, Sami Lushtaku thotë se kanë vrarë kolaboracionistë!

Aktuale

Dëshmia e Nuhi Bytyçit/ Prokurori ia prezantoi një gazetë: Në intervistë, Sami Lushtaku thotë se kanë vrarë kolaboracionistë!

Më: 4 qershor 2024 Në ora: 07:33 Përditësuar në ora: 17:34 më 04.06.2024
Nuhi Bytyçi

Bytyçi për artikujt e incidentit në Bardh të Madh: Nuk më janë prezantuar më herët, ky është provokim

Pasi iu treguan disa artikuj ndërkombëtarë lidhur me një incident në Bardhin e Madh, dëshmitari Nuhi Bytyçi tha se një dokument i tillë nuk iu është prezantuar më herët nga prokurori Matt Halling.  

Pas kësaj, dëshmitari tha se ky është një provokim i papranueshëm për atë në mënyrë që prokurori ta vë në lajthitje para trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dokumenti që m’u prezantua këtu për Mihjen sipërfaqësore në Bardh të Madh nuk më është prezantuar deri në këtë moment gjatë bisedave me prokurorin Matt. Ky është një provokim i papranueshëm për mua që të qes në lajthitje përpara trupit gjykues dhe opinionit. Atë dokument, për herë të parë unë e pash sot”, tha dëshmitari.

Pas kësaj, prokurori Halling i tha atij se nuk është roli i dëshmitari që të flas nëse një dokument të pranohet në prova ose jo.

“Si dëshmitar nuk është roli i juaj që një dokument të pranohet në prova ose jo. Ju lutem dëgjoni pyetjen dhe jepni përgjigjen”, tha prokurori, duke vazhduar më pyetjet e tjera që kishin të bënin me ditën e betimit solemn të UÇK-së në Kleçkë.

Pas kësaj, sërish u diskutua për pranueshmërinë e këtyre artikujve, ku avokati i Thaçit, Luka Mishetiq tha se po cenohen të drejtat e akuzuarve, duke shtuar se ky incident mund të jetë propagandë serbe.

Ndërsa, avokati i Veselit, Ben Emmerson tha se në rast që vazhdon Prokuroria në këtë mënyrë, atëherë do të ketë një gjykim të bazuar në “copa gazetash”.

“Si mund të merret një artikull në media dhe të përdoret si provë… Nëse vazhdon Prokuroria në këtë mënyrë atëherë do të kemi një gjykim bazuar në copa gazetash”, tha Emmerson.

Incidenti në Bardhin e Madh, mbrojtja thotë se dëshmitari po pyetet për një rast që nuk përmendet në aktakuzë

Gjatë pyetjeve të tij, prokurori Matt Halling pyeti dëshmitarin lidhur me disa artikuj të mediave ndërkombëtare në të cilin shkruhej se anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kishin marrë në kontroll një minierë të thëngjillit në fshatin Bardh i Madh dhe se kishin marrë peng nëntë minatorë serbë.

Lidhur me këtë, pati kundërshtime mbrojtja e Thaçit përmes avokatit Luka Mishetiq, i cili tha se ky incident nuk është përmendur në aktakuzë dhe se po përpiqen t’i përfshijnë të akuzuarit në një incident të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”. 

“Ne po ju themi që nuk është përmendur kjo në aktakuzë. Ky incident konkret nuk është i përmendur në aktakuzë. Nuk jemi informuar si mbrojtje sa i takon faktit se është hetuar ky incident dhe ata po përpiqen t’i përfshijnë drejtpërdrejt të akuzuarit në një incident të papërmendur në aktakuzë. Ky është një njoftim i papërshtatshëm që ua bën zotëri Halling”, tha Mishetiq.

Pas tij, me kundërshtime vazhdoi edhe mbrojtja e Veselit përmes avokatit Ben Emmerson, i cili tha se këto janë copëza gazete dhe kjo nuk është aspak e logjikshme dhe se nuk duhet të pranohen në prova materiale.

“Unë dua ta vërtetoj zotëriHalling që është kryer krimi dhe të vërtetoj që udhëheqja ka pasur njohuri dhe ka pasur autoritetin të parandaluar dhe ndëshkuar krimet e tilla dhe më pas të flasim për relevancën parimisht. Tani këtu në këtë rast ka disa pretendime, asnjë provë nuk ka Prokuroria që ka ndodhur kjo. Këto janë thjesht pretendime dhe të thuash që të pranojmë artikuj gazete për vërtetësinë e krimit që ka ndodhur krimi kjo është absurde, se kjo nuk është në aktakuzë. Këto janë copa gazete dhe kjo nuk është aspak e logjikshme”, tha Emmerson.

Pas një konsulte me anëtarët e trupit gjykues, kryetari Charles Smith III tha se ky material nuk do të përdorrt për të provuar vërtetësinë e fakteve që përfshihen në atë, mirëpo duhet të pranohet për të vërtetuar besueshmërinë e dëshmitarit.

“Materiali që po diskutohet nuk mund të përdoret në këtë pikë, me këtë informacion që kemi për të provuar vërtetësinë e fakteve që përfshihen në atë. Megjithatë, mund të lidhet me besueshmërinë e këtij dëshmitari dhe për këtë arsye do ta pranojmë atë. Kundërshtimi rrëzohet”, tha Charles Smith III.

Ndryshe, për këtë incident, dëshmitari tha se nuk ka asnjë informacion duke i kërkuar prokurorit që të mos e provokojë më tepër.

“Nuk kam pas informacion as atëherë dhe as deri sot. Mos më provoko më tepër”, tha dëshmitari.

Përpara kësaj, dëshmitari u pyet për disa nofka që mbanin anëtarët e UÇK-së, për të cilat tha se përdoreshin nga disa vetë. Ai tha se nofkën “Daja” e përdorte Azem Syla, nofkën “Gjermani” e mbante Xhemë Gashi, ndërsa nofkën ‘Baca” e mbante Isuf Gashi.

Ai gjithashtu foli edhe për një takim që kishte pasur me Thaçin më 1998 e që dëshmitari e kishte identifikuar në librin e tij. Bytyçi kishte shkruar se Thaçi ishte prezantuar si komandant “Gjarpi” i cili më vonë pastaj u bë udhëheqës i UÇK-së.

Dëshmitari tha se është në dijeni që edhe Jakup Krasniqi e ka botuar një libër të quajtur  “Kthesa e Madhe” për të cilin tha se iu është dhuruar një kopje nga autori, por që nuk ka arritur ta lexojë të tërin.

Bytyçi pohoi se më 13 qershor 1998 në Negroc ishte takuar me Kadri Veselin dhe më pas për të vazhduar në Kleçkë për të xhiruar daljen e parë publike të Jakup Krasniqit si zëdhënës i UÇK-së.

Duke kërkuar që të identifikojë personat në videon e  daljes së parë të Krasniqit, dëshmitari tha se përveç të akuzuarit, bashkë me atë ishin Ferat Shala, Fatmir Limaj dhe prapa kamerës Kadri Veseli.

Ish-gazetari i RTP-së: Serbia kreu më shumë se 400 masakra në Kosovë

Ish-gazetari i Radio Televizionit të Prishtinës (RTP), Nuhi Bytyçi, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), ka pasur vullnet të madh për ta mbrojtur vendin e për t’u luftuar, por raporti i forcave kundër aparatit shtetëror serb sipas tij ishte i madh.

Ai në dëshminë e tij tha se Serbia ka kryer më shumë se 400 masakra duke i vrarë më shumë se 10 mijë civilë serbë.

“UÇK ka pas vullnet, por raporti I forcave nuk ka qenë i favorshëm, ushtria dhe policia serbe kanë pasur armatim më të madh, I tërë aparati shtetëror ishte I drejtuar jo vetëm kundër UÇK-së por edhe popullatës civile, ka bërë më shumë se 400 masakra, duke vra mbi 10 mijë civilë shqiptarë”, tha ai.

Prokurori për një gazetë të konfiskuar në shtëpinë e Selimit: Në intervistë, Sami Lushtaku thotë se kanë vrarë kolaboracionistë

Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Nuhi Bytyci, prokurori Matt Halling ia prezantoi atij një intervistë të Sami Lushtakut në gazetën “Kombi” të 23 majit 1998 në të cilën kishte thënë se përveç oficerëve e ushtarëve të policisë serbe kanë vrarë edhe kolaboracinistë (bashkëpunëtor të Serbisë).

“Sami Lushtaku thotë kështu: Deri më sot nuk kemi vrarë as gra as fëmijë. Kemi vra oficer policie, ushtarë dhe kolaboracionistë. Duhet merrni parasysh një faktor të rëndësishëm që të gjithë kolaboracionistët që janë likuiduar kanë qenë pjesë e forcave okupatore të sistemit okupator në Kosovë dhe asnjëri prej tyre nuk ka qenë i paarmatosur”, tha prokurori, raporton “Betimi për Drejtë”.

Ndërsa, dëshmitari tha se nuk mbanë përgjegjësi për intervista të tilla duke shtuar që për intervista të kolegëve të tij të mos pyetet.

“Për intervistat e gazetarëve, kolegëve të tjerë mos me pyetni. Nuk majë përgjegjësi për ato intervista”, tha dëshmitari.

Pas kësaj, prokurori tha që ky është dokument që mund të pranohet dhe është një material që është sekuestruar nga shtëpia e Rexhep Selimit dhe është intervistë me Sami Lushtakun me një gazetar që dëshmitari e ka vërtetuar se është gazetar dhe intervistën e tij e ka parë, por në një media tjetër.

Një gjë e tillë u kundërshtua nga mbrojtja e Selimit përmes avokatit i cili tha se nuk ka tregues autenticiteti. Mirëpo, me urdhër të trupit gjykues, ky dokument u pranua.

Përpara kësaj, prokurori kërkoi që bllok-shënimesh të pranohet si provë duke treguar se është sekuestruar nga shtëpia e të akuzuarit Selimi. Po ashtu, sërish pati kundërshtim Tully i cili tha se në atë bllok shënim ka disa dorëshkrime të ndryshme dhe nuk vërtetojnë autorësi e po ashtu kundërshtojnë veprimtaritë që përshkruhen aty. Edhe Emmerson tha se një dokument i tillë duhet kundërshtuar.

Nuhi Bytyçi: Nuk dua që Gjykata dhe ZPS-ja ta përdorin librin tim si dëshmi për t’i akuzuar luftëtarët e lirisë

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Nuhi Bytyçi tha se nuk dëshiron që Specialja e sidomos Zyra e Prokurorit të Specializuar ta konsiderojë librin e tij si dëshmi për t’i akuzuar ish-krerët e UÇK-së.

“Nuk dua që kjo Gjykatë e sidomos Prokuroria, këtë libër timin ta konsiderojë si një dëshmi për të akuzuar luftëtarët e lirisë”, tha dëshmitari derisa po pyetej nga prokurori Matt Halling për librin e tij “Libri i Luftës”.

Dëshmitari tha se gjatë kohës së luftës gjithmonë ka funksionuar e punuar si gazetar i pavarur dhe vullnetar dhe se këtë gjë sipas tij e kishte bërë për arsye që shumë kohë të gjatë edhe para luftës, Kosova ishte në terr informativ.

I pyetur se si ka pasur mundësi që të mbajë shënime të gjitha ato data të cilat përmenden në libër, dshmitari tha se e ka pasur të vështirë një gjë të tillë pasi që ka qenë gazetar vullnetar dhe jo i akredituar zyrtarisht.

“Fillimisht, të them të drejtën në ato rrethana të luftës, si gazetar vullnetar ashtu si ka qenë edhe Ushtria e Kosovës- ushtri vullnetare e mbështetur nga tërë populli shqiptar, kam pasur shumë vështirësi në punën time. Fillimisht, nuk kam pasur akreditim zyrtar nga Serbia për shkak se edhe unë personalisht nuk e kam njohur shtetin e Serbisë se ka qenë shtet okupues”, tha dëshmitari.

Bytyçi gjithashtu tha se edhe në vitin 2019 përkatësisht në vitin kur ai kishte botuar librin, kishte deklaruar se datat apo emrat mund të mos jenë të saktë aty. Kjo ngase sipas tij nuk ka mundur të mbajë ndonjë ditar të përpiktë ashtu siç mund të mbajnë gazetarët në rrethana normale.

“Kam punuar në rrethana të jashtëzakonshme nëpër punkte policore dhe nuk kam pasur mundësi në asnjë mënyrë të mbaj ditar në mënyrë të rregullt, të shënoj datat, të shënoj emrat me të cilët kam kontaktuar, me të cilët kam intervistuar. Kështu, edhe në deklaratën time më 30-31 korrik 2019 kam deklaru se disa data dhe disa emra që janë në libër mund të mos jenë të saktë se mund të mungojë ndonjë emër… për arsyeje se nuk kam mundur të mbaj ditar të përpiktë ashtu siç mund të mbajnë gazetarët në rrethana normale”, tha dëshmitari.

Bytyçi gjithashtu shtoi se nuk ka ndodhur asnjëherë të punojë me direktiva të dikujt tjetër.

“Nuk ka ndodhur që të punoj sipas diktatit të dikujt. Edhe në kohën kur kam punuar si gazetar në Radiotelevizionin e Prishtinës kam qenë kundër cezurës dhe në asnjë mënyrë nuk kam lejuar as pas luftës as gjatë luftës që dikush të diktojë në punën time”, tha ai.

Ish-gazetari i RTP-së tha se librin e tij para botimit nuk e ka pasur askush tjetër përveç profesionistëve, të cilët janë angazhuar në redaktimin e tij.

“Para botimit, librin tim e kanë parë vetëm redaktorët dhe recensenti i librit. Kuptohet edhe lektorja e librit, kurse as nga Shtabi i Përgjithshëm dhe asnjë qytetar tjetër i Republikës së Kosovës të përgatitur për botim nuk e kanë pas”, tha ai.

Ndërsa, pas botimit, ai tha se një kopje të libri ia ka dhënë ish-Presidentit Thaçi dhe Fatmir Limajt.

“Pas botimit, Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ia kam dhuru librin, tjerëve s’e di. Zotëri Krasniqit nuk e di a ia kam dhënë a jo, e di që zotëri Selimit dhe zotëri Veselit nuk ia kam dhuru. Po edhe Fatmir Limajt e pati kërku, ia kam dhuru në zyrën e tij sa ka qenë zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës”, tha dëshmitari, duke shtuar se nuk ka marrë komente nga ata.

Ndërsa, Halling i tha dëshmitarit se më herët në dëshminë e tij kishte thënë që asnjë kopje të librit nuk ia kishte dhënë asnjërit prej anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe se tashmë një gjë të tillë po e dëshmon ndryshe.

Megjithatë, dëshmitari tha se asnjë kopje të librit nuk e ka dorëzuar para botimit.

Ndryshe, gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari tha ase lufta e UÇK-së ka qenë luftë për liri.

“Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri, ishte luftë kundër pushtimit serb, ishte luftë kundër dhunës dhe terrorit në mbarë Kosovën dhe që mjetet paqësore ishin shterur dhe kjo ishte luftë e imponuar të cilës iu bashkëngjiten të gjithë shqiptarët nga Kosova dhe vendet e tjera. Ishte një luftë vullnetare se Kosova nuk ishte shtet dhe nuk e kishte ushtrinë e rregullt siç i kanë shtetet e tjera në rrethana normale”, tha Bytyçi.

Nuhi Bytyçi fillon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 70-të, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 71-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Nuhi Bytyçi në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar prokurori Matt Halling, i cili në përmbledhjen e lexuar tha se dëshmitari ka qenë gazetar i cili ka mbuluar UÇK-në gjatë luftës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dëshmitari 04411 ka qenë gazetar i cili ka mbuluar UÇK-në gjatë luftës. Ai ka bërë fotografi të elementeve ose momenteve të rëndësishme përfshirë edhe rolin në të cilin janë përfshirë të akuzuarit. Dëshmitari ka shkruar një libër rreth përvojës së tij të botuar në vitin 2019 që quhet “Libri i Luftës”, lexoi Halling.

Dëshmitari Bytyçi pohoi se është autori i një libri të titulluar “Libri i Luftës”, në të cilin pasqyrohen përjetimet e tij gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth dy ditë, përkatësisht 11 orë.

Ai tha se ZPS-ja ka paraparë 3 deri në 4 orë për pyetje, ndërsa mbrojtja e të akuzuarve rreth 7 orë e gjysmë për kundërpyetje.

Deklaratat e dëshmitarit që rrjedhin nga seanca përgatitore me ZPS-në, u pranuan si prova materiale.

Ndërsa, nëse libri i tij ai të pranohet tërësisht a po disa pjesë të tij mbeti që vendimi të merret pas pushimit me kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve pasi thanë që nuk e kundërshtojnë, por iu duhet konsultim mes vete për shkak të disa paqartësive.

Pas pushimit, me vendim të trupit gjykues, u pranuan të gjitha faqet e përkthyera të këtij libri.

-----------------------------

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në Hagë sipas kalendarit, të kësaj gjykate, sot të mbahet seancë gjyqësore, në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-ës. Në seancën e të hënën dëshmoi dëshmitari i 70-të, me shifrën 03170, i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesi i ZPS-së, prokuror James Pace, dëshmitari ishte anëtar i LDK-së i cili ishte ndaluar së bashku me një person tjetër dhe janë rrahur.

Prokuroria e Specializuar ka bërë të ditur se këtë javë janë planifikuar që të dëgjohen dy dëshmitarë të cilët mbajnë kodet 03170 dhe 04410.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Ndryshe Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, njoftojnë se gjykatësi Stensland u rizgjodh kryetar i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese të DHSK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat