Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se ka bashkëpunim të ngushtë me presidenten Vjosa Osmani.
Duke komentuar situatën e fundit të raporteve të tij me Osmanin, Kurti ka thënë se nganjëherë ka diskutime e dallime edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, por sië ka theksuar ai nuk beson që ka aso të patejkalueshme.
“Ne kemi bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk do të thotë që edhe me kryeparlamentarin Konjufca, edhe me ministren e Jashtme, Gërvalla, edhe me presidenten Osmani nuk kemi pasur diskutime, nganjëherë dallime, por unë nuk besoj që ka të tilla të cilat janë të patejkalueshme”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i ekzekutivit, ka folur edhe për masat ndaj Kosovës që i ka vënë Bashkimi Evropian një vit më parë. Sipas tij, vonesat për heqjen e këtyre masave, ndërlidhen me zgjedhjet për parlamentin e ri evropian.
Kryeministri Kurti ka theksuar se heqja e masave nuk varet prej Kosovës.
“Krejt çka varet prej neve tashme ka ndodhur. Ne aso kohe u patëm ndëshkuar padrejtësisht për shkak të eskalimit të situatës në veri të Kosovës dhe ky eskalim ka pasur adresë të qartë sa i përket përgjegjëse dhe fajësisë. Ndodhi deskalimi, mirëpo më pastaj ngjau edhe rieskalimi në shtator të vitit të kaluar kur e vranë rreshterin tonë Afrim Bunjakun. Tash gjendja serish ka deskalur, a do të rieskaloj, përgjigja është në Beograd. Andaj atje duhet të behet trysnia për të pasur paqe, siguri dhe stabilitet në rajon. Unë besoj që heqja e këtyre masave që po vonohet ka të bëjë më shumë me dinamikat e brendshme të BE-së dhe sidomos me faktin që janë në fushatë zgjedhore për parlamentin e ri evropian. Uroj të ketë pjesëmarrje sa më të lartë me ç’rast ftoj mërgatën tonë që ka të drejtë vote që këtë ta bëjnë”, ka thënë Kurti.