Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se ka nisur punën për hartimin e Projektligjit kundër Femicidit, duke e bërë kështu Kosovën shtetin e parë në rajon që inicion një projektligj të tillë.
Në njoftimin e MD’së thuhet se ky projektligj ka për qëllim fuqizimin e legjislacionit të Kosovës me dispozita të qarta dhe të ashpra kundër femicidit.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, sot ka kryesuar takimin e parë të Grupit Punues për hartimin e këtij projektligjit, ku citohet të ketë thënë se duhet të ketë ashpërsim të dispozitave ligjore, masa të rrepta për parandalimin e femicidit duke krijuar mekanizma për identifikim dhe ndjekje të rasteve të dhunës ndaj grave si dhe të parashikohet mbrojtje dhe mbështetje për gratë që janë në rrezik.
“Ligjet tona duhet të përcaktojnë qartë femicidin si një krim të veçantë dhe të parashikojnë dënime të rënda për autorët e tij. Nuk mund të lejojmë që krimet kundër grave të trajtohen me tolerancë apo paqartësi juridike. Çdo akt dhune kundër grave duhet të ndëshkohet me të gjithë forcën e ligjit”, citohet të ketë thënë Sallahu.
E gjithë kjo, sipas zëvendësministrit Sallahu kërkon një sistem gjyqësor të paanshëm dhe të vendosur, që të sigurojë drejtësi për viktimat dhe të mbajë përgjegjës ata që kryejnë këto krime të tmerrshme sepse sipas tij nuk mjaftojnë vetëm ligje të mira në letër por edhe zbatim i tyre në praktikë.